
Lionel Messi ka konfirmuar edhe një herë lidhjen e veçantë me Barcelonën, duke theksuar se dashuria për klubin katalanas dhe qytetin do të mbetet e përjetshme. Ndërkohë, presidenti Joan Laporta po planifikon një ceremoni nderimi për argjentinasin në Spotify Camp Nou.
Lionel Messi nuk e harron Barcelonën. Ylli argjentinas, i cili aktualisht luan për Inter Miamin në Shtetet e Bashkuara, ka folur me nostalgji për vitet e kaluara te gjiganti katalanas, duke konfirmuar se lidhja e tij me klubin do të mbetet gjithmonë e veçantë.
Në një deklaratë të transmetuar nga gazetari Fabrizio Romano, tetë herë fituesi i Topit të Artë theksoi rëndësinë që Barcelona ka në jetën e tij.
“Barcelona do të thotë shumë për mua. Ndiej një dashuri të veçantë për qytetin dhe klubin, dhe kështu do të jetë gjithmonë”, u shpreh Messi.
Argjentinasi kujtoi gjithashtu sukseset e shumta të arritura me fanellën blaugrana, duke vlerësuar jo vetëm trofetë, por edhe mënyrën se si skuadra i fitoi ato.
“Te Barcelona patëm fatin të fitonim gjithçka. Jo vetëm për atë që arritëm, por edhe për mënyrën se si i arritëm këto suksese dhe sa shumë kënaqësi përjetuam duke luajtur, fituar dhe krijuar momente të rëndësishme”, deklaroi ai.
Messi u largua nga Barcelona në verën e vitit 2021, duke iu bashkuar Paris Saint-Germainit si lojtar i lirë. Dy vite më vonë, ai transferua te Inter Miami, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2028.
