2019 nis me rrokadë në Polici, Veliu: Fati i drejtorëve sipas rezultateve
2019 do të nisë me ndryshime të rëndësishme brenda radhëve drejtuese të Policisë së Shtetit. Rrokada do të nisë në muajin janar nga 12 drejtorët e qarqeve e më pas do të zhvendoset tek drejtuesit e komisariateve.
Drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu sqaroi gjatë një takimi me mediat se këto ndryshime do të bëhen bazuar në rezultatet e analizave vjetore që do të mbahen në çdo drejtori.
Ndërsa burime për ”Report Tv” sqaruan jo zyrtarisht se ndryshimet janë kërkuar edhe nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili deri më tani ka vizituar disa qarqe të vendit.
Ndryshime të këtij lloji pritet të ketë edhe në Vlorë, Durrës, Elbasan, Shkodër, si dhe në disa komisariate të rëndësishme.

