Aeroporti i Rinasit njoftim për udhëtarët
Aeroporti ndërkombëtar i Rinasit thotë se fluturimet i janë rikthyer normalitetit me një ndikim të vogël në operimet e fluturimeve.
“Të gjitha fluturimet po kryhen normalisht, përveç disa vonesave”, thuhet në njoftim.
Në deklaratë thuhet se dy fluturime në drejtim të Tiranës janë devijuar mbrëmjen e shkuar, duke ardhur në aeroport pas shumë orësh.
“Më 30 Nëntor 2017, dy fluturime të cilat ishin parashikuar për t’u ulur në orën 21.50 janë devijuar. Dy fluturimet e Shoqërive Ajrore Pegasus Airlines dhe Blue Panorama, kanë zbritur në Shkup dhe Bari përkatësisht. Më vonë, Pegasus Airlines është ulur në Tiranë në orën 02.50 ndërsa Blue Panorama ka akomoduar pasagjerët në një hotel në Bari. Fluturimi BP është nisur nga Bari në orën 09.00 për të zbritur më pas në Tiranë në orën 09.35”, sqaron.
Tre kompani ajrore, Turkish Airlines, Austrian Airlines dhe Alitalia kanë anuluar fluturimet e tyre të mesnatës për t’i operuar ato ditën e sotme më datë 1 Dhjetor.
“Është e qartë se kushtet e këqija të motit kanë ndikuar në fluturimet e TIA-s me disa fluturime të anulluara dhe dy prej tyre të devijuara. Megjithatë, së bashku me shoqëritë ajrore dhe strukturat e Aviacionit Civil, është arritur që fluturimet të kthehen në normalitet me sukses”, thuhet në njoftim.
Në rast nevoje për asistencë, qytetarëve ju kërkohet të telefonojnë në Qendrën e Informacionit të TIA-s në numrat e mëposhtëm: +355 4 238 1800, ose +355 4 238 1600.

