Aksion blic në Vlorë, sekuestrohet 37.7 kg hashash dhe 339 rrënjë kanabis
Policia e Vlorës ka zhvilluar një operacion antikanabis, ku ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme marijuan. Burimet zyrtare bëjnë me dije se në aksion kanë marrë pjesë 30 forca policie të Vlorës, në bashkëpunim me Delta Force dhe Prokurorinë e Vlorës. Si rezultat i këtij bashkëpunimi, u bë i mundur realizimi i një operacioni të koduar “Shadoë”, mbi bazën e të cilit janë sekuestruar dhe asgjësuar 339 bimë narkotike dhe sekuestruar 37 kg e 700 gr lëndë narkotike të dyshuara të llojit kanabis sativa si dhe është bllokuar një automjet. Policia ka proceduar penalisht 4 shtetas dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë.
Nga kontrollet e ushtruara në territorin e Njësisë Administrative Kotë, Bashkia Selenicë është bërë e mundur: Konstatimi dhe asgjësimi i 9 parcelave të mbjella me 339 rrënjë bimë narkotike në fshatin Lapardha, në tokë publike të pyllëzuar pranë vendit të quajtur “Hija e madhe”, me gjatësi 20 cm deri në 100 cm, të cilat u asgjësuan me anë të djegies me zjarr.
Në lidhje me këtë ngjarje, Policia ka proceduar penalisht 4 shtetasit e mëposhtëm për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”; F.H., 63 vjeç, me detyrë kryetar i Njësisë Administrative Kotë; A.C., 53 vjeç, me detyrë, kryeplak i fshatit Lapardha; M.H., 52 vjeç, me detyrë, Inspektor i Pyjeve në Njësinë Administrative Kotë dhe B.D., 51 vjeç, me detyrë, përgjegjës i Inspektorëve të Pyjeve në Bashkinë Selenicë.
Gjithashtu, në vijim të këtij operacioni, gjatë kontrollit të territorit konkretisht në aksin rrugor Kotë, Drashovicë, Policia e Vlorës ka bllokuar një automjet të dyshimtë, i cili u braktis nga drejtuesi i tij.
Nga kontrolli i ushtruar në mjetin tip “Fiat Panda” me targë AA 369 MK, është gjetur një sasi me lëndë narkotike e vendosur në 7 paketime të përmasave të ndryshme dhe të mbështjella me natriban transparent, e cila pas peshimit ka rezultuar me peshë totale prej 37 kilogramë e 700 gramë, e dyshuar e llojit kanabis sativa e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet hetimore të Policisë, ka rezultuar se në këtë ngjarje dyshohet se janë përfshirë shtetasit e mëposhtëm të shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”; A.I., 26 vjeç, banues në Vlorë dhe B.A., 30 vjeç, banues në Kaninë. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve përgjegjës të implikuar në këto veprimtari kriminale kundër kultivimit, prodhimit apo shitjes së narkotikëve.

