Psikoterapeuti Etion Parruca, në një lidhje telefonike për “News24” ka treguar detaje për atë se çfarë ka parë gjatë këtyre ditëve në terren, ku shumë persona dhe familje nga qyteti i Durrësit dhe Thumana kanë pasur nevojë për trajtim psikologjik.
Ai tha se të gjithë kanë përjetuar një ankth të jashtëzakonshëm, jo vetëm për rrezikun e humbjes së jetës, por edhe për faktin se lëkundjet sizmike u kanë shkatërruar pronat dhe banesat e tyre. Më tej Parruca tha se më të prekurit nga ankthi janë prindërit pasi janë të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve.
Diçka mbi angazhimi tuaj të këtyre ditëve, çfarë keni përjetuar?
Etion Parruca: Normalisht që është një gjendje shumë e natyrshme pas situatës së tërmetit, ku ankthi dhe emocioni janë ndjesi kryesore që shumë qytetarë kanë përjetuar në familjet e tyre, personalisht, por natyrshëm kjo gjë është më e dukshëm tek familjet që kanë përjetuar dëme tek banesa, ku krahas ndjesisë për rrezikun për jetën kanë ndjesinë e humbjes së pronës së tyre, që e kanë ndërtuar me shumë vite sakrifica. Familjet, prindërit, gjyshërit, normalisht janë në një gjendje ankthi dha pasigurie për të ardhmen e tyre: si do i bëhet, ku do gjejnë strehë për fëmijët dhe ky ankth dhe pasiguria e prindërve pasqyrohet tek fëmijët. Është e nevojshme të bëhet një ndërhyrje e koordinuar dhe specializuar tek të gjitha grupmoshat”-tha mes tjerash ai.