Atentati, FNSH dhe RENEA zbarkojnë me autoblinda në Shijak. Policia shoqëron të “fortët” e Sukthit e Shijakut
FNSH dhe RENEA kanë ushtruar kontrolle dhe kanë shoqëruar disa persona në Sukth dhe Shijak të Durrësit, lidhur me atentatin e ndodhur pak ditë më parë, ku humbën jetën Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti.
Policia ka shoqëruar disa persona të cilësuar si “të fortët” e Sukthit e Shijakut.
Sipas burimeve të shoqëruarit kanë mohuar përfshirjen në krimin e dyfishtë, ndërsa policia vijon aksionin për kapjen e autorëve.
Gjithashtu sipas burimeve bëhet e ditur se janë shoqëruar edhe miqtë e Juxhin Dautin që e shoqëronin si eskortë.
Gjatë marrjes në pyetje ata kanë mohuar të kenë informacione lidhur me atentatin.
FNSh-ja ka zbarkuar me autoblinda në qytetin e vogël të Shijakut, ndërsa “të fortët” e shoqëruar janë një numër i konsiderueshëm “miqsh” me të cilët shoqëroheshin dy viktmat e atentatit të 25 prillit në autostradën Durrës-Tiranë pranë Sukthit.
Burimet e policisë kanë bërë me dije se dy të rinjtë kishin një shoqëri të zgjeruar në zonën e Shijakut dhe aty qëndronin gjatë ditës në disa prej lokaleve dhe bareve të zonës. Në mbrëmje ata ktheheshin në Tiranë pranë banesave të tyre. Prandaj policia i ka marrë në pyetje për të treguar mbi aktivitetin e dy të rinjve.
Kujtojmë se personat që kryen atentatin kanë vepruar për 60 sekonda. Sipas hetuesve të çështjes, makina tip “Audi S8” me targa AA 111 OI u qëllua me 32 plumba kallashnikovi nga dy automjete, një “Audi A3” dhe një “BMË X5” me ngjyrë të zezë. Fakti që autorët e krimit kanë qenë me dy makina është zbuluar pas këqyrjes së pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, që iu sekuestruan bizneseve që ndodhen në autostradën Durrës-Tiranë, afër vendit të ngjarjes.
SKEMA E KRIMIT
Policia dhe prokuroria kanë mundur të zbardhin skemën e krimit. Sipas burimeve nga organi i akuzës, dy viktimat fillimisht kanë qëndruar në autoservisin, i cili është jo më shumë se 300 m larg prej vendit të atentatit, me një fushëpamje absolute. Në autoservis, 38-vjeçari Ervin Dalipaj dhe 27-vjeçari Juxhin Dautaj janë takuar me dy vajza, të cilat kishin mbërritur aty me një automjet “Smart”. Më pas, sapo kanë dalë nga dera e autoservisit, i cili mbikëqyret me 4 kamera filmike e rezolucion të lartë, dy viktimat janë ndeshur me një makinë “BMË X5”, jo më shumë se 15 m distancë në anë të rrugës. Këtu rruga ka fushëpamje absolute edhe nga pjesa e kodrës ku gjenden shtëpitë e banorëve të zonës. Dyshohet që rreth 30 m distancë, për nga kthesa në drejtim të Shijakut, makinën e viktimave e priste një automjet tip “Audi A3” ngjyrë gri. /BW

