Atentati në Sarandë, drejtori i Policisë së Shtetit zhvillon mbledhje urgjente
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka mbërritur në Sarandë, ku po zhvillon një mbledhje urgjente me drejtuesit vendorë të Policisë.
Takimi zhvillohet pas atentatit të rëndë të regjistruar ditën e sotme në qytetin bregdetar, ku 44-vjeçari Artan Myrtaj u ekzekutua me armë zjarri.
Sipas të dhënave paraprake, autorët e dyshuar kanë qenë dy persona me motor, të cilët kanë qëlluar me breshëri ndaj 44-vjeçarit. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një tjetër person.
Bëhet fjalë për 73-vjeçarin Xh.S, i cili u qëllua në shpinë teksa ishte duke kaluar në rrugë. Ai është transportuar për ndihmë mjekësore.
Mbledhja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë me drejtuesit vendorë pritet të fokusohet te hetimi i atentatit, identifikimi dhe kapja e autorëve, si dhe masat për garantimin e sigurisë në qytet.
Vizita e Hitës në Sarandë vjen gjithashtu në një periudhë kur në qytetin bregdetar janë regjistruar disa ngjarje të rënda kriminale gjatë muajve të fundit. Hetimet për atentatin vijojnë, ndërsa grupet hetimore po punojnë për zbardhjen e rrethanave dhe motivit të ngjarjes.

