Basha: Javën tjetër protesta e madhe. T’i tregojmë Ramës se s’ka zgjedhje pa PD
Tërheqja e PS-së nga zgjedhjet në Kavajë shihet si një fitore për Partinë Demokratike. Ditën e sotme nga çadra e protestës, kreu i PD-së Lulzim Basha tha se betejën në Kavajë e fituan qytetarët.
Ndërsa përsëriti kushtin e panegociueshëm për qeveri, Basha paralajmëoroi një protestë masive javën e ardhme. Sipas Bashës kjo protestë do të jetë një mesazh për Edi Ramën.
“Do i tregojmë javën e ardhshme këtu në këtë bulevard Edi Ramës, kupolës politike të republikës së vjetër dhe mbarë botës se shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk do të pranojë kurrë zgjedhje të diktuara nga krimi, nga droga dhe pa opozitën. Se të vetmet zgjedhje që ky vend do të mbajë do të jenë zgjedhjet e lira e të ndershme, të lira nga krimi, nga droga dhe nga monizmi me një qeveri teknike e cila do të përmbushë mandatin popullor për zgjedhje të lira e të ndershme”, vijoi Basha.
Kreu i PD-së u bëri thirrje demorkatëvë për tu bashkuar. Sipas tij, asnjë betejë nuk është fituar vetëm dhe duhet angazhim qytetarë. “Mos kini asnjë iluzion se ky proces i rikthimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme do të ketë sukses pa pasur edhe njëherë bashkimin e shqiptarëve, pa i demonstruar mes pjesëmarrjes masive të shqiptarëve javën e ardhshme, Ramës, në këtë shesh, se shumica e shqiptarëve nuk pranon zgjedhje të diktuara nga krimi e nga droga”,- theksoi Basha.
Kryeministri Edi Rama u tërhoq dje nga zgjedhjet në Kavajë që ishin parashikuar të mbaheshin ditën e diel. Rama deklaroi se ka një plan për destabilizim të vendit nga Partia Demokratike. Sipas Ramës ky plan do të vihej në zbatim në qytetin e Kavajës.
Ndërkohë, këto ditë pritet që palët të negociojnë sërish për daljen nga kriza. Afati i fundit për gjetjen e një marrëveshje është data 8 maj. Pas këtij afati, kryeministri tha se nuk ka më kohë për negociata dhe PS do të hyjë e vetme në zgjedhjet e 18 qershorit.

