Basha për “360 Gradë”: Ajo që po ndodh te Astiri, barbari. Oficerët e policisë do ndëshkohen
Kreu i Partisë Demokratike në një lidhje telefonike për “360 Gradë” në Ora News e konsideroi barbari atë që po ndodh tek zona e Unazës së Re, ndërsa shtoi se opozita po mban shënim atë që po bëjnë oficerët e policisë kundër banorëve.
Basha: Ajo që po ndodh tek Unaza nuk është thjesht problemi i këtyre familjeve por vija e kuqe për çdo shqiptar. Secili prej tyre mund të dhunohet, secilit prej jush mund t’i merret nesër prona dhe mund t’i prishet. Secilit prej jush mund t’i ndodh që të ndodhet përpara policisë që paguhet me taksat tona për të mbrojtur ligjin dhe shkel ligjin duke mbrojtur kriminelët dhe hajdutët. Njerëzit që kanë futur duart në këtë tendër janë Edi Rama, Damian Gjiknuri dhe këto tre kompani që kanë futur duart në këto tre megavjedhje. Ajo që mund të them sot është që nga kjo dhunë policore mbi nëna shqiptare, gra shtatzëna është një barbari që nuk do të harrohet dhe garantoj qytetarët që kanë qenë subjekt i dhunës dhe paralajmëroj çdo oficer policie që gjithçka që ju po kryeni këto ditë të rënda, po regjistrohet dhe mbahet shënim nga opozita dhe askush prej atyre që shkel ligjin duke veshur uniformën me taksat e popullit, nuk do të mund t’i shpëtojë ndëshkimit.

