Bashkia Himarë thirrje banorëve të Piqerasit: Nevojitet prania fizike për regjistrimin e pronave
Bashkia Himarë u ka bërë thirrje banorëve dhe pronarëve të pasurive të paluajtshme në fshatin dhe zonën e Piqerasit që të jenë fizikisht të pranishëm gjatë vijimit të procesit të regjistrimit fillestar të pronave.
Sipas njoftimit të bashkisë, prania dhe bashkëpunimi i personave të interesuar me përfaqësuesit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) është i nevojshëm për kryerjen e verifikimeve në terren dhe për përfundimin e procedurave të regjistrimit.
Bashkia u ka kërkuar banorëve dhe pronarëve që të bashkëpunojnë me strukturat përgjegjëse, me qëllim që procesi të përfundojë sa më shpejt dhe pa pengesa.
“Ky proces është me rëndësi të veçantë për formalizimin dhe regjistrimin përfundimtar të pasurive, ndaj kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë banorëve të zonës”, është shprehur kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo.
Procesi i regjistrimit fillestar synon formalizimin e pasurive të paluajtshme dhe krijimin e një regjistri të plotë të pronësisë në zonën e Piqerasit.
KOHA JONË SONDAZH

