Bashkitë që humbasin statusin, 4500 punonjës pa punë dhe 14 miliardë lekë në lojë
Reforma e re territoriale pritet të sjellë një tjetër riorganizim të pushtetit vendor, duke prekur drejtpërdrejt 15 bashki që socialistët synojnë t’i bashkojnë me njësi të tjera vendore. Ndryshimi prek mbi 225 mijë banorë, mijëra punonjës të administratës lokale dhe menaxhimin e fondeve publike të këtyre bashkive.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në këto 15 bashki janë të punësuar 4,549 persona. Maliqi ka numrin më të madh të punonjësve, me 606 të tillë, ndërsa Fushë-Arrëzi rezulton bashkia me raportin më të lartë të administratës ndaj popullsisë, me një punonjës për vetëm 16 banorë. Ndërkohë, Libohova është bashkia më e vogël në këtë listë, me 2,765 banorë.
Gjashtë prej bashkive që pritet të shkrihen kanë më pak se 10 mijë banorë, ndërsa përballen edhe me sfida financiare. Gjatë vitit 2025, këto bashki kanë shpenzuar në total rreth 14 miliardë lekë për paga, shërbime, mallra dhe investime. Maliqi kryeson me buxhetin më të lartë, me rreth 1.47 miliardë lekë shpenzime vjetore, i ndjekur nga Divjaka, Cërriku dhe Patosi.
Përveç shpenzimeve, bashkitë që pritet të bashkohen mbartin edhe detyrime financiare. Borxhet e tyre arrijnë në rreth 608 milionë lekë, ose afërsisht 19.3% e totalit të detyrimeve të pushtetit vendor. Peshën më të madhe e kanë Dimali dhe Rrogozhina, ndërsa disa bashki si Patosi, Përrenjasi dhe Fushë-Arrëzi nuk raportojnë detyrime të papaguara.
Me zbatimin e reformës, detyrimet, pasuritë dhe strukturat administrative të këtyre bashkive do të kalojnë te bashkitë pritëse. Eksperienca e reformës së vitit 2014, kur u shkrinë komunat dhe disa bashki trashëguan borxhe të prapambetura, rikthen debatin mbi mënyrën se si do të menaxhohet procesi i ri i bashkimit territorial.
KOHA JONË SONDAZH





