Beci: Marrëveshje me spitalet private për sëmundjet në zemër dhe dializën

Kjo u bë e ditur sot nga Drejtori i  Fondit të Sigurimeve Shëndetësore Astrit Beci,  gjatë konferencës me temë “Paketat e sherbimeve shendetesore, financimi i ri me fokus pacientet”, organizuar në Shkodër në bashkëpunim me Konrad Adenauer Stiftung. Drejtori i Fondit lajmeroi lidhjen e kontratave te para me spitalet private per paketat e sherbimeve shendetesore.

Kam kënaqësinë t’ju lajmëroj se , pas kërkesave zyrtare dhe verifikimit të kushteve të spitaleve private nga ekspertët tanë, Fondi I Sigurimeve Shëndetësore ka lidhur kontratat e para me tre spitale private dhe është në proces të lidhjes së kontratave me dy spitale të tjera”, tha ai.

Beci nënvizoi se pacientët do ta përfitojnë shërbimin sipas një listë-pritje me rregulla të qarta e transparente.

“Ekspertët tanë po përgatisin udhëzimin për procedurat konkrete që do të zbatohen për përfitimin e këtyre shërbimeve, si përsa i takon listë-pritjes, ashtu dhe përfitimit të këtyre paketave edhe në kushtet e urgjencës. E vë theksin edhe një herë, tek financimi në masë të njëjtë të këtyre shërbimeve si në institucionet shëndetësore publike, ashtu dhe në ato private – e thënë më thjeshtë, pacienti nuk do të paguajë asgjë shtesë”, deklaroi drejtori i Fondit.

Duke u ndalur te premtimi i Qeverisë për të shkruar drejt mbulimit universal, pra ofrimit të shërbimeve bazë pa pagesë për të gjithë popullatën, Beci tha se këto janë hapa cilësore dhe konkretë drejt këtij objektivi madhor.

“Ne si Fond, në buxhetin e këtij viti, kemi parashikuar një fond prej  250 milion lekësh për ofrimin e këtyre shërbimeve në pjesën e mbetur të vitit, çka do të thotë se përfitimet e popullatës do të fillojnë të ndihen brenda këtij viti”, është shprehur Drejtori i FSSH-së në Shkodër. 

SHKARKO APP