Bekim Fehmiu, “Odisea” dhe Shqipëria e kujtesës, një udhëtim që Marubi e kthen në përjetësi me fotot e Angjelin Nënshatit

Nga Albert Vataj
Ka fotografi që nuk ndalojnë vetëm një çast të kohës, por arrijnë të ruajnë të paprekur frymën e një epoke. Ato janë dëshmi që, me kalimin e viteve, fitojnë kuptime të reja dhe shndërrohen në kapituj të historisë sonë kulturore. Pikërisht një të tillë rikthen në vëmendje Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, i cili, përmes një publikimi në rrjetet sociale dhe një fotogalerie të çmuar nga arkivi i tij, risjell vizitën që aktori i madh Bekim Fehmiu zhvilloi në Shqipëri në vitin 1972, një udhëtim që tejkalonte kufijtë e një vizite artistike dhe merrte përmasat e një kthimi shpirtëror.
“Odisea”… një rrugëtim që prek edhe historinë shqiptare.
Në vitin 1972, Bekim Fehmiu – “Uliksi shqiptar” i kinemasë botërore – mbërriti në Shqipëri. Jo thjesht si një yll ndërkombëtar në kulmin e karrierës, por si një njeri që kërkonte të ribënte hartën intime të kujtesës së tij. I lindur në një familje shqiptare, me rrënjë të thella në kulturën dhe historinë e këtij kombi, dhe i formuar mes Prizrenit e hapësirës së gjerë ballkanike, Fehmiu ishte aktori i parë shqiptar që arriti të depërtojë në kinemanë ndërkombëtare, duke u bërë pjesë e prodhimeve më prestigjioze evropiane dhe amerikane. Kudo që shkoi, ai nuk e la pas identitetin e vet; përkundrazi, e mbarti si një pasaportë shpirtërore, duke dëshmuar se përkatësia kulturore nuk zbehet nga fama, por fisnikërohet prej saj.
Në një kohë kur Shqipëria jetonte nën perden e hekurt të izolimit, e shkëputur pothuajse krejtësisht nga bota, ky udhëtim mori edhe një domethënie simbolike. Ishte kthimi i një biri drejt vendit që kishte ushqyer kujtesën e tij të hershme, një përpjekje për të rikthyer në jetë copëzat e një fëmijërie të mbetur pezull në kohë. Rruga e tij kaloi nga një qytet në tjetrin, deri në Shkodër, qytetin ku kishte kaluar vitet e para të jetës, aty ku kujtesa personale takohej me kujtesën kolektive të një kombi.
Në Shkodër, vizita e tij në Muzeun Historik u përjetësua nga objektivi i fotografit Angjelin Nenshati, duke krijuar një dokument vizual që sot ka fituar vlerën e një relike kulturore. Në atë fotografi nuk shohim vetëm një aktor të famshëm; shohim një njeri që rikthehet te rrënjët, një figurë që, përtej suksesit botëror, mbetet e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e vendit të vet. Pikërisht këtu fotografia tejkalon funksionin dokumentues dhe bëhet një akt kujtese, një dëshmi se historia personale dhe historia kombëtare mund të bashkëjetojnë në një imazh të vetëm.
Dekada më vonë, “Odisea” rikthehet sërish, por këtë herë në një tjetër dimension artistik. Në interpretimin filmik të Christopher Nolan, Shqipëria nuk shfaqet më vetëm si një vend i kujtesës personale të një aktori shqiptar; ajo dëgjohet. Në kolonën zanore të filmit përfshihen tingujt e iso-polifonisë shqiptare, kjo trashëgimi e jashtëzakonshme shpirtërore, e mbrojtur nga UNESCO, e regjistruar posaçërisht në jug të vendit për t’i dhënë rrëfimit homerik një jehonë arkaike, të thellë dhe autentike.
Krijohet kështu një urë e pazakontë kulturore: nga jehona e maleve shqiptare te epika e Homerit, nga kujtesa e një populli te miti themelor i qytetërimit mesdhetar. Është një dëshmi se kultura shqiptare, edhe kur ka mbetur në heshtje për dekada, ka vazhduar të mbajë brenda vetes një rezonancë universale, të aftë të komunikojë me veprat më të mëdha të njerëzimit.
Sot, kur Shqipëria është shndërruar në një nga destinacionet turistike më të kërkuara dhe më të vlerësuara në Evropë, këto histori na kujtojnë se magnetizmi i saj nuk është një zbulim i kohëve të fundit. Ai ka ekzistuar gjithmonë, në peizazhet që kanë frymëzuar udhëtarë e artistë, në kujtesën e atyre që janë kthyer për të kërkuar rrënjët, në kulturën që ka ditur të mbijetojë edhe në kohët më të vështira.
Arkivi i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” mbetet një nga depot më të çmuara të kësaj kujtese. Ai nuk ruan vetëm portrete, ngjarje apo peizazhe; ai konservon takime, udhëtime, rikthime dhe fate njerëzore që, me kalimin e kohës, fitojnë një domethënie gjithnjë e më të madhe. Çdo negativ fotografik është një fragment historie, çdo imazh një dëshmi e dialogut të pandërprerë mes Shqipërisë dhe botës.
Sepse në Marubi nuk ruhen vetëm fotografi.
Ruhen kujtesa që i rezistojnë harresës. Ruhen rrënjë që vazhdojnë të thërrasin bijtë e tyre. Ruhen histori që dëshmojnë se Shqipëria nuk ka qenë kurrë një periferi e kulturës, por një vend ku udhëtimet e njerëzve, mitet dhe arti kanë gjetur gjithmonë një pikë takimi me universalen.
KOHA JONË SONDAZH

