Bllokohen 24 orë doganat me Greqinë ditën e enjte, shkak greva e sindikalistëve
Sindikata e punonjësve të Ministrisë së Finacave greke ka paralajmëruar një grevë 24-orëshe më datën 1 qershor. Si pasojë e grevës do të paralizohet tërësisht lëvizja e mjeteve dhe mallrave në pikat doganore greke me vendet kufitare jo europiane, si Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia.
Gjithashtu edhe aeroportet do të bllohen si pasojë e kësaj greve gjë e cila pritet të shkaktojë një konfuzion të madh me fluturimet drejt Greqisë.
Lidhur me lëvizjen në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, Drejtoria e Doganave greke ka publikuar oraret e mbylljes së traut mes dy vendeve, si dhe ka njoftuar për grevën të gjitha kompanitë e transportit të udhëtarëve dhe mallrave që operojnë mes dy vendeve.
Për rastet e urgjencës, doganat njoftuan se do të kenë personel sigurie për çdo rast. Ndërkohë, lëvizja e këmbësorëve që do të udhëtojnë pa bagazhe mes dy vendeve do të funksionojë lirisht.
Sipas sindikatave, greva ishte e pashmangshme, pasi qeveria me politikat e saj ka taksuar ndjeshëm të ardhurat e punonjësve të kësaj ministrie, ndërsa një tjetër goditje kanë marrë edhe pensionet e tyre.

