Broshurë Informative – Mbrojtja e Konsumatorit dhe Mbrojtja e Mjedisit
Në vazhdimësi të angazhimeve dhe nismave që ajo ka ndërmarrë në këto 10 vite, me anë të mekanizmit të Konventës për Integrimin Europian, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) me mbështetjen e Ambasadës së Republikës Sllovake në Shqipëri, ka identifikuar nevojën për të informuar më tej dhe për të përfshirë komunitetin e prekur nga reformat dhe politikat e ndërmarra nga qeverisja në nivel kombëtar dhe lokal në kuadrin e aderimit në BE, në sektorin e mbrojtjes së konsumatorit dhe të mjedisit.
Qëllimi kryesor i kësaj iniciative është të nxisë informimin dhe ndërgjegjësimin kryesisht të të rinjve dhe studentëve ndaj çështjeve të ndjeshme të procesit të Integrimit Europian të Shqipërisë, të tilla si ajo e mbrojtjes së konsumatorit dhe sigurisë ushqimore, si dhe mbrojtjes së mjedisit duke mos u fokusuar vetëm në kryeqytet ku zhvillohen më së shumti aktivitetet dhe nismat, por edhe në qytete të tjera të vendit që këto tema kanë po aq rëndësi.
Si pjesë e kësaj iniciative vjen edhe hartimi dhe publikimi i kësaj broshure që bën një prezantim të përmbledhur të dy çështjeve të rëndësishme përfshirë në dy kapitujt e negocimit Kapitulli 28 (Mbrojtja e Konsumatorit) dhe Kapitulli 27 (Mjedisi) fokusuar në: legjislacionin dhe institucionet përgjegjëse, si dhe në përfshirjen dhe informimin e të rinjve. Informacioni i ofruar në këtë broshurë është me një gjuhë të thjeshtë, të qartë dhe koncize për të qenë i lehtë për t’u kuptuar dhe përthithur nga të rinjtë, pavarësisht informacioneve dhe dijeve paraprake që ata mund të kenë.
EMA i kushton një rol të veçantë dimensionit të informimit dhe ndërgjegjësimit, kryesisht të të rinjve, ku tanimë ka krijuar dhe një traditë në zbatimin e projekteve përmes të cilave targetohen të rinjtë dhe nevojat e tyre në fushën e mjedisit dhe mbrojtjes së konsumatorit.

