Buletini i AMA-s, si akt transparence për publikun

Nga Dr. Arben Muka*

 Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, nisi publikimin e Buletinit Periodik, një paketë treguesish, çdo gjashtë muaj, me të dhëna nga tregu audioviziv në Republikën e Shqipërisë

Në versionin virtual apo dhe në print, Buletini është tashmë një realitet. Edicioni i Parë, që i referohet të dhënave nga transmetimet audovizive për periudhën gjashtëmujore, (1 janar – 30 qershor 2016),  u promovua të martën në mjediset e AMA-s në Tiranë, në prezencën e grupeve të interesit, përfaqësuesve të institucioneve të specializuara, të kërkimit dhe studimit në fushën e medias dhe shkencave të komunikimit, gazetarë, menaxherë etj. Dalja në dritë e Buletinit nuk është në terren djerr. Deri më tani AMA, si autoriteti rregullator në sektorin e transmetimeve audio dhe audiovizive, ka poseduar të dhëna nga ky treg, mjaft dinamik dhe me influencë në zhvillimet e vendit. Tregues dhe informacione Autoriteti ka marrë nga procesi i licencimit dhe autorizimit të operatorëve audiovizivë; nga bilancet ekonomike financiare që çdo vit subjektet e licencuara/autorizuara dorëzojnë, sipas ligjit; nga monitorimi sistematik mujor i përmbajtjeve të emetuara dhe nivelet e mbulimit me sinjal; nga verifikimet e inspektorëve drejtpërdrejt në terren; nga studimet, shqyrtimet dhe hulumtimet e institucioneve dhe subjekteve, vendase dhe të huaja,  të fokusuara në fushën e medias audiovizive etj.

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

1.

Por mbledhja, përpunimi dhe publikimi i të dhënave mbi transmetimet audiovizive në një Buletin Periodik ka qenë një nevojë, një domosdoshmëri për realitetin shqiptar. Në radhë të parë AMA është e detyruar nga ligji 97/2013, ku i atribuohet këtij institucioni të pavarur që “të administrojë dhe publikojë informacion për sektorin e mediave audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. Por ky akt duhet parë dhe si një shërbim transparence për publikun, i cili duhet të ketë akses në të dhëna dhe informata për një produkt të cilin e konsumon sistematikisht për t’u informuar, edukuar dhe argëtuar. Një Buletin Periodik është një fluks të dhënash në një periudhë të caktuar, në rastin tonë 6 muaj, dhe kjo e bën lëndën që do të përfshihet në edicionet e ardhshme të krahasueshme për segmente kohore të ndryshme, duke qartësuar elementët e dinamikës, përparimin, prapambetjen, stanjacionin apo oshilime gjithfarë që reflektohen përmes treguesve. Një operator në tregun audioviziv ka mundësi që nëpërmjet Buletinit të shikojë dhe vlerësojë vetveten në raport më pjesën tjetër të të ngjashmëve apo gjithë spektrit audioviziv. Ky format publikimi është i mirëpritur në mënyrë të veçantë nga kasta e pedagogëve, studiuesve dhe kërkuesve në lëmin e gazetarisë dhe komunikimit, për të cilët mungesa pjesore a tërësore e të dhënave është një pengesë serioze për punimet e angazhimet e tyre shkencore.

2.

Në procesin e përgatitjes së Buletinit, sektori i Publikimeve dhe Bashkëpunimit në Drejtorinë e Programeve në AMA u angazhua fillimisht në konceptimin e tij, duke vjelë mendime, opinione, propozime dhe sugjerime nga dy pyetje thelbësore: “si e mendoni ju një Buletin Periodik?” dhe “çfarë pret nga ky dokument?”. Në bashkëbisedim apo në intervista me ekspertë, studiues të fushës, përfaqësues të grupeve të interesit janë mbajtur shënim dhe përgjigjet a reagimet për rreth 15 nënpyetje mbi perceptimin dhe pritmëritë.  Ashtu sikundër janë qëmtuar publikime të ngjashme nga homologët në BE ose në rajon, nga institucione dhe organizata që janë të fokusuar te statistikat – në kërkim të një modeli të përshtatshëm me natyrën e tregut audioviziv shqiptar. Ky është një proces i pambyllur. AMA me publikimin virtual dhe print të Edicionit të Parë është e paduruar për të marrë çdo mendim, kritikë, a sugjerim që përmirëson këtë botim në formë e në përmbajtje.

Komponentët përbërës të Buletinit janë më thelbësorët nga aktiviteti i subjekteve audio dhe audiovizive, të cilat për lehtësi të kuptuari dhe përdorimi janë ndarë në katër grupe: televizione, radio, kabllorë dhe shërbime të tjera (ku futen ofruesit me bazë internetin IPTV, OTT, televizionet online, platformat digjitale tokësore etj).

Treguesit janë sistemuar në pesë kolona kryesore të aktivitetit të transmetuesve audio dhe audiovizivë: ekonomikë dhe financiarë – ku bëhet renditja e subjekteve kryesore, sipas nivelit të taksave të paguara, (taksapaguesit më të mëdhenj), nivelit të aseteve fikse, totalit të të ardhurave vjetore, treguesit e rentabilitetit të OSHMA-ve, nivelit të marzhit operativ etj; pronësia në aktivitetin audioviziv dhe kontributi jashtë tregut – ku prezantohen e drejta dhe kufizimet e pronësisë, strukturimi dhe ndarja mes bashkëpronarët dhe përqendrimi i kontributorëve në degë të ndryshme të industrisë; karakteristika të personelit të angazhuar – ku jepen të dhëna për strukturimin e stafeve sipas nivelit arsimor, moshës, vjetërsisë në punë, gjinisë dhe profesioneve, trajtimi i personelit në raport me të ardhurat dhe shpenzimet etj; treguesit teknikë të transmetimit – ku janë përfshirë plani frekuencor numerik, mbulimi me sinjal i subjekteve sipas territorit dhe popullatës, paraqitja me harta gjeografike për subjektet kombëtare, përqendrimi i televizioneve sipas kohës ditore të transmetimit, si dhe prezenca e OSHMA-ve të Shqipërisë në Kosovë e Maqedoni; aspekte të monitorimit të përmbajtjeve të transmetuara – ka përmes tabelave jepen kohët që subjektet kombëtare rezervojnë në edicionet kryesore informative, volumin e reklamave dhe komunikimeve tregtare, blerësit kryesorë të kohës televizive etj.

4.

Krijimi dhe publikimi i një depozite të dhënash nga performanca e tregut audioviziv nuk ka qenë e lehtë të realizohet, ka pasur vështirësi dhe sfida për AMA-n. Është operuar në një sektor të pamësuar me deklarimin në kohë dhe cilësi të të dhënave; ku shifrat që raportohen bartin dhe hije e nuanca dilematike për saktësinë dhe besueshmërinë; nga ana tjetër për stafin e institucionit, si ç’ndodh në një angazhim premierë, u ndesh nevoja për njohuri dhe praktikë profesionale në trajtimin e të dhënave të përftuara. Gjithashtu dhe ristrukturimet e subjekteve audio dhe audiovizive, përqendrimi në grupime mediatike shkakton hapësirë të diskutueshme ku vjen fjala për identifikimin e pjesëve përbërës të aktivitetit.

Por një nga sfidat më të mëdha për Autoritetin ishte vetë periudha tranzitore që kalon fluksi i transmetimeve televizive, në kalimin nga analogu në digjital tokësor, një proces që ridimensionon produktin, angazhimin, për rrjedhojë dhe treguesit përkatës. Fluksi digjital tokësor është aktualisht dhe nën trysninë e një konkurrenti që sa vjen e po bëhet gjithnjë e më i fuqishëm dhe që bazohet në ofrimin e shërbimeve audiovizive në formate që kanë në bazë internetin. Sfidat dhe zhvillimet e reja numerike janë premisë se Edicionet e tjera gjashtëmujore të Buletinit Periodik të AMA-s do të përshtaten mbi natyrën dhe sjelljen e komponentëve të tregut audioviziv, duke ruajtur koherencën e një botimi të tillë.

*Prezantim në Tryezën “Të dhënat e performancës së tregut audioviziv në Republikën e Shqipërisë – Sfidat për Buletinin Periodik të AMA-s”, që u zhvillua dje në Tiranë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?