Çunat “trendy” të klasës tallnin nxënësen e shkëlqyer, sot…
Mësuese Mirela dhe dy nxënës të shkollës “Petro Nini Luarasi” ftojnë Jetën, nxënëse gjithashtu në këtë shkollë, në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”, moderuar nga Ardit Gjebrea, për t’i kërkuar falje dhe për t’i treguar sa krenarë ndihen për të.
Mirela Katundi, mësuese e lëndëve shoqërore në shkollën e mesme të përgjithshme “Petro Nini Luarasi dhe dy nxënës të kësaj shkolle, Florian Stafa dhe Brendon Pojani, tregojnë më tepër rreth Jetës, e cila është një person shumë i veçantë për të gjithë.
Floriani dhe Brendoni shprehen se fillimisht nuk e pëlqenin aspak Jetën, pasi e mendonin mendjemadhe, të mbyllur në vetvete dhe “peshkope”, një term i përdorur për nxënësit e fiksuar pas mësimeve.
“Jeta i duroi këta, nuk pati asnjë konflikt, siç ndodh rëndom kur dikush ndihet i fyer dhe kërkon të drejtën e tij. Unë për këtë e kam vlerësuar dhe e quaj një nxënëse që s’kam për ta shqitur nga memorja ime gjatë gjithë jetës. Ajo filloi një aktivitet dhe një veprimtari në shkollë si për t’ua mbyllur gojën të gjithëve që kjo jam Jeta nga Yzberishti dhe po ua kaloj edhe juve që jeni në Bllok.”
Mësuese Mirela thotë se Jeta ka krijuar dhe drejton një klub social me 300 nxënës që marrin pjesë, nga 1300 nxënës që janë në shkollën e tyre.
Mësuesja-Të përshëndes zemra ime! Më fal që të gënjeva në telefon. Unë për ty do ngrihem edhe në mes të natës. Unë dua të të premtoj që do të jem gjithmonë mbështetje për ty dhe dëshiroj që në maturë të bëhem pjesë e familjes tënde. Do të luftoj ku të jetë e mundur, deri te ministrja e arsimit, që do të jetë vitin që vjen, që ti të fitosh një bursë të plotë për të studiuar jashtë Shqipërisë se e meriton!
Jeta-Faleminderit shumë!
Mësuesja-Unë jam e sigurt që do ta kem pranë gjithmonë, edhe sikur të ikë në Amerikë, përmes teknologjisë do të jemi prapë afër. Të dua shumë, ti meriton më të mirën dhe ti je krenaria e “Petro Ninit” dhe e Shqipërisë.
Brendon-Unë të kam kërkuar falje për atë përiudhën e ftohtë që kemi patur bashkë në fillim, kur të shaja. Doja të të kërkoja edhe një herë falje publikisht. Më fal që jam sjellë ashtu dhe të falënderoj shumë që je një nga miket e mia më të mira!
Floriani-Në vit të parë nuk ta kam thënë asnjëherë ballë për ballë se çfarë mendoja për ty, por flisja me Brendonin dhe të tjerët që të shanim. Dua të të kërkoj falje publikisht. Jam shumë krenar që ti je senatorja e klasës dhe që je shoqja ime më e mirë.
Ajo, e pyetur nga Arditi se nëse do të bëhej ministre a do ta bënte Brendonin dhe Florianin pjesë të kabinetit të saj, shprehet se nuk do ta bënte, pasi në bazë të një mësim nga mësuese Mirela, do të preferonte t’i mbante si krahun e saj të djathtë në terren, sesa t’i mbante në karrigen pranë saj sepse njerëzit nuk kanë nevojë për poste e vëmendje për të dhënë kontributin e duhur në vendin ku janë./TvKlan/

