DASH: Qeveria Kurti duhej të ishte koordinuar për shpalljen e dy organizatave në veri terroriste

Placeholder Image

-Zëri i Amerikës-

Vendimi i qeverisë së Kosovës për të shpallur dy entitete serbe në veri, si organizata terroriste nuk është bërë në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, i tha të enjten Zërit të Amerikës një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

Një vendim i tillë duhej të ishte koordinuar me partnerët më të afërt ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata që kanë përgjegjësinë kryesore për sigurimin e stabilitetit të Kosovës. Departamenti i Shtetit i bën thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm ndërsa “punojmë me të gjitha palët për zgjidhjen e krizës aktuale”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë të papranushem dhe e dënojnë dhunën kundër trupave të KFOR-it, si dhe kërkojnë nxjerrjen para përgjegjësisë, në bazë të një procesi të drejtë ligjor dhe transparent të autorëve të dhunës, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Të enjten qeveria e Kosovës shpalli organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, dy grupe që, sipas institucioneve të sigurisë, zhvillojnë veprimtari kërcënuese për rendin kushtetues të Kosovës, në pjesën veriore të vendit, me banorë kryesisht të pakicës serbe.

Shuarja e strukturave të tilla dhe integrimi i tyre në institucionet e Kosovës ishte paraparë me një marrëveshje të vitit 2015 ndërmjet Prishtinës e Beogradit në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por autoritetet në Kosovë thonë se ato kanë vazhduar të funksionojnë pavarësisht marrëveshjes.

Vendimi u mor në një kohë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat filluan në fund të muajit maj kur autoritetet nisën zbatimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?