Dëbohet nga Britania pas 20 vjetësh, shqiptari që vrau 2 vëllezër për hakmarrje. Pikëllimi i gruas së tij në gjyq
Vrasësi i dy vëllezërve në Laç që u arratis nga Shqipëria duke jetuar në Angli për gati 20 vjet do të dëbohet. “The Sun” shkruan se shqiptari 45-vjeçar Martin Kaza, që vrau vëllezërit Dod dhe Augustin Gjini për “gjakmarrje” gjatë trazirave të vitit 1997 do kthehet në Shqipëri për tu përballur me akuzat.
Ai kërkoi azil në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1999 duke u paraqitur si shtetas kosovar nën emërin e rremë Naim Karagia, u martua me Majlinda Dulen në vitin 2008 dhe solli në jetë tre fëmijë.
“The Sun” ka mundur të fotografojë bashkëshorten e pikëlluar të Kazës në sallën e gjyqit, ndërsa ai vetë ka deklaruar se deportimi pas kaq vietësh nga Mbretëria e Bashkuar do të ishte “i padrejtë”.

Gjatë gjithë kësaj kohe Kaza ka bërë punë të ndryshme në Angli, derisa policia londineze e arrestoi, ndërsa gjykata e Westminster nisi procedurat e ekstradimit.
Babai i tre fëmijëve do të vuajë 22 vjet burg nëse dënohet pas një rigjykimi në Shqipëri, shkruan “The Sun”
Si nisi hakmarrja mes dy fiseve
Konflikti mes familjeve Kaza dhe Gjini nisi 23 vite më parë. Qyteti i Rrëshenit, më datë 7 Janar të vitit 1994 u trondit nga vrasja e Shefit të Krimeve, Ndue Kaza.
Ky i fundit u qëllua me armë zjarri në mes të qytetit nga Dod Gjini, i cili u largua nga vendngjarja. Shtypi i shkruar i kohës raportonte se vrasja ndodhi pasi Shefi i Krimeve ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e një konflikti mes dy grupeve rivale. Por 3 vite më vonë, pa arritur që autorët të arrestohen dhe familjet të pajtohen, në qytetin e Laçit vëllai i komisarit mori hak, duke vrarë 2 vëllezërit Dod dhe Agustin Gjini.
Gazetat raportonin se ngjarja ndodhi mesditën e 3 korrikut të vitit 1997, ku sipas tyre, në atentat kishin marrë pjesë dy persona. Pas 4 vitesh, Gjykata e Kurbinit shpalli fajtor në mungesë për vrasjen e dyfshtë, Martin Kazën, duke e dënuar me 22 vite burg. Që prej asaj kohe, 45-vjeçari u largua jashtë vendit dhe nuk u kthye më në atdhe. Ai u arrestua pak kohë më parë në Londër, ku jetonte nën identitetin e rremë kosovar, Naim Karagia dhe pritet të rikthehet në atdhe për të vuajtur dënimin.
/BW

