Destinacionet ekzotike, ja ku po shkojnë shqiptarët dhe sa kushtojnë paketat
Parajsat ekzotike, të tilla si Maldive, Santo-Domingo, Tailanda, Bali në Indonezi janë destinacionet ideale, për të cilat ia vlen të shpenzohet, të paktën një herë në jetë. Tashmë ato janë lehtësisht të arritshme edhe nga Shqipëria, teksa një pjesë e madhe e agjencive turistike ofrojnë udhëtime të tilla, me udhëtime përmes Stambollit, ose nga Roma, apo shtete të tjera.
Çmimet fillojnë nga 1200 euro për person, për të arritur dhe në 2000 euro për person për resorte luksoze, teksa kohëzgjatja është minimum një javë.
Maldive, Dubai, në Santo Domingo në fakt janë destinacionet që kërkohen më shumë këtë periudhë, veçanërisht nga çiftet e reja, që duan të kenë një muaj mjalti të paharruar.
Destinacionet ekzotike bëjnë pjesë te paketat individuale, tek ato që përshtaten sipas preferencave, pasi një nga problemet kryesore mbeten vizat. Janë kryesisht çiftet e reja, të sapomartuar, që zgjedhin këto destinacione të largëta e që kanë më shumë kohë në dispozicion.
Agjencitë ofrojnë udhëtime në destinacione të veçanta, si në Bankon (3 net) për 1,500 euro për person; në Kubë për 7 net duke filluar nga 1,299 euro për person; në Marok për 7 net, duke filluar nga 750 euro për person; në Punta Cana për 7 net, duke filluar nga 1,500 euro për person; në Hong Kong për 7 net, duke filluar nga 1,065 euro për person; në Tanzani për 7 net, duke filluar nga 1,575 euro për person. Në Punta Cana, duke filluar nga çmimi 1190 euro për person, ndërsa për në Maldive paketa shkon në 1875 euro/person (të gjitha të përfshira).
Një tjetër parajsë janë ishujt koralorë të Seishellit, në perëndim të Oqeanit Indian. Mund të bëni sërf, zhytje, peshkim, lundrim etj. Me pak fjalë gjithçka që përfshijnë pushimet ideale. Agjencitë ofrojnë paketa për qëndrime në hotele me katër e pesë yje, për çmime për 7 ditë qëndrimi, që nisin nga 1,900 euro deri në 3,900 euro për person.
Nisjet për këto destinacione bëhen kryesisht nga aeroportet e Italisë, apo dhe Stambolli dhe përfshirja e vizës në çmim është politikë e agjencisë, e cila zgjedh në varësi të kërkesës së klientit ta sigurojë ose jo për ato destinacione që kërkohet. Këto destinacione nuk përkojnë me sezonin tonë të lartë.
Çfarë u ofrojnë resortet dhe hotelet jashtë vendit atyre që janë në muaj mjalti? “Sapo shkon në hotel ke një shishe shampanjë, një tufë me lule dhe dhomat janë arreduar në mënyrë të veçantë”, shpjegojnë punonjës të agjencive turistike.
Marrë nga “Monitor.al”

