Detajet/ 705 kg kanabis në portin e Durrësit, kamioni u ngarkua në Lushnjë. Arrestohet shoferi maqedonas
Plot 705 kg drogë janë kapur në Portin e Durrësit, ndërsa detaje të tjera zbulohen nga linja e trafikut që kishte si destinacion Holandën.
Për këtë arsye është vënë në pranga shoferi maqedonas 32 vjeç, ndërsa janë shpallur në kërkim 3 persona që kanë ngarkuar drogën.
Kamioni me drogë u ndalua gjatë mesnatës në portin e Durrësit dhe ishte i ngarkuar me tranguj. Kanabisi do të imbarkohej në tragetin e linjës Durrës-Bari por si destinacion final kishte Holandën.
Kamioni kaloi për verifikim më të hollësishëm në skaner ku edhe u zbulua droga. Fillimisht u fol për 1 ton drogë por pas peshimit rezultuan 750 kg kanabis.
NJOFTIMI I POLICISË
Goditet një tjetër tentativë e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në Portin e Durrësit.
Policia Kufitare në bashkëpunim me Seksionin Kundër Narkotikëve kanë parandaluar dhe goditur tentativën për të trafikuar lëndë narkotike drejt Italisë.
Sekuestrohen 705 kg Cannabis Sattiva.
Arrestohet në flagrancë drejtuesi i mjetit dhe shpallen në kërkim tre shtetas të tjerë.
Shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Efektivet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës së tyre për parandalimin e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet Portit të Durrësit, mbrëmjen e djeshme, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative kanë goditur një tjetër rast.
Është arrestuar në flagrancë drejtuesi i mjetit, shtetasi:
• Kiril Filev 32 vjeç, banues në Maqedoni.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim tre shtetas, ku për arsye hetimi nuk japim detaje.
Më datë 06.06.2017, gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës, në mjetin tip kamion me drejtues shtetasin maqedonas Kiril Filev ,pas dyshimeve nga Specialistët se në brendësi të tij kishte lëndë narkotike, për verifikim më të hollësishëm u kontrollua në Skaner.
Në përfundim u konkludua një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva.
Kamioni ishte i ngarkuar me kuti të mbushura me kastravecë dhe në mes të kastravecëve kishte qese të mbushura me lëndë narkotike ku pas peshimit rezultoi në total një sasi rreth 705 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët dhe grupi hetimor vijojnë punën për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet kriminal.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.

