Dibër, helmohen 100 persona mes tyre 50 fëmijë
Rreth 100 persona, mes tyre 50 fëmijë janë helmuar në Peshkopi. Ngjarja është regjistruar në qytetin e Peshkopisë ku spitali rajonal është populluar prej 3 ditësh nga pacientë të rritur e të mitur me dhimbje të forta në bark e të vjella.
Aktualisht numri i të shtruarve në spital është 45 persona, 15 prej tyre fëmije. Dyshimet e para flasin se helmimi ka ndodhur pasi rezultoi se pacientet kishin konsumuar ëmbelsira. Sipas informacioneve të marra, personat janë helmuar nga konsumimi i embëlsirave të blera në një pasticeri në Peshkopi.
Pacientët e mbërritur në spitalin e Peshkopisë janë pyetur gjerë e gjatë mbi aktivitetin e kryer para se të pësonin helmimin. E përbashkëta në rrëfimin e tyre ishte se të gjithë kishin konsumuar ëmbëlsira pak minuta para se të helmoheshin.
Beqir Bici, drejtori i spitalit rajonal të Peshkopisë sqaron se bëhet fjalë për raste intoksikimi me burim ende të pashpjegueshëm. Sipas tij, dhjetra persona prej disa ditësh janë paraqitur në spital dhe simptomat kanë qenë të njëjta, dhimbje barku, të vjella, diarre, marrjen mendsh. Por Bici siguron se situata për momentin është në monitorim të plotë dhe po bëhen analizat për të gjetur shkakun e vërtetë të helmimit.
“Situata në spital është e monitorueshme. Kjo ka filluar prej disa ditësh, që nga e hëna e vijon edhe sot. Pa dalë analizat laboratorike nuk jemi në gjendje të themi cili është shkaku. Nga të dhënat që kemi ne personat janë të ndryshëm, nga qyteti dhe nga fshatrat, flitet per shenja intoksinimi. Gjendja është e stabilizuar, personat po monitorohen vazhdimisht. Analizat do të dalin së shpejti. Kemi kontaktuar me policinë dhe po merr masat”,-u shpreh ai.

