Ditë të Hapura – Dyer të Hapura në MMSR
Ditë të Hapura – Dyer të Hapura në MMSR
Ministrja Xhaçka, njeriu i vitit 2016!
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë organizoi sot në kuadër të ditës ndërkombëtare kundër homo dhe transfobisë, ditën e hapur me dyer të hapura për aktorët kryesorë të lëvizjes LGBTI në Shqipëri, ku diskutuan mbi prioritetet që ka lëvizja LGBTI në Shqipëri, si dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe të koordinimit më mirë të të gjithë aktorëve përgjegjës, për zbatimin e Planit të Veprimit për personat LGBTI në Shqipëri.

Ministrja Xhaçka: Sot kemi një legjislacion më efikas kundër diskriminimit.
Ministrja Xhaçka: Sot, të drejtat e LGBTI-ve diskutohen publikisht.
Ministrja Xhaçka: Diskriminimi ndaj LGBTI-ve nuk lëndon vetëm njerëzit, por dhe familjet, edhe gjithë shoqërinë, sepse kështu tkurrim individin, cënojmë në mënyrë të pakuptimtë potencialin dhe kapitalin njerëzor, për të cilin sot kemi nevojë më shumë se kurrë.
Ministrja Xhaçka: Kjo ditë e hapur me dyer të hapura në Ministri dhe në institucionet e varësisë, me qëllim që ne të parët të shprehim hapur mbështetjen për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe për komunitetin LGBTI në veçanti.
Ministrja Xhaçka: Për arritjen e qëllimeve dhe objektivave të Planit kombëtar të veprimit për personat LGBTI, janë parashikuar ndërhyrje në disa nivele duke përfshirë: zhvillime legjislative, përafrimin e politikave dhe strategjive me qëllim përfshirjen e këtij komuniteti në çdo fushë, ngritjen dhe ofrimin e shërbimeve të standardizuara, trainimin e stafeve profesionale dhe ofruesve të shërbimeve, si dhe të aktorëve që merren me edukimin/informimin dhe ndërgjegjësimin publik, me një fokus të veçantë tek OJF-të që punojnë për të drejtat e njeriut.
Në lidhje me synimet e MMSR, Ministrja Xhaçka u shpreh se rezultatet që priten në vazhdim lidhen me përmirësimin e shërbimeve dhe komunikimit në sektorë të rëndësishëm, siç ështe arsimi, shëndetësia, policia, gjykata, prokuroria.
Konsolidimi i shërbimeve miqësore për komunitetitn LGBTI, kërkon bashkëpunim të fortë me pushtetin vendor dhe në marrim përsipër, që ky bashkëpunim jo vetëm të forcohet, por edhe të shoqërohet me plane konkrete që shkojnë në favor të komunitetit.
Në fund, Ministrja ftoi pjesëmarrësit të jeni pjesë e grupeve të punës, që Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë do të ngrejë, për rritjen e kapaciteteve të punëdhënësve dhe eleminimin e diskriminimit në vendin e punës.
Ministrja Xhaçka, njeriu i vitit 2016!
Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, u shpall sot si njeriu i vitit 2016, për kontributin dhe dedikimin për të mbrojtur e promovuar të drejtat LGBTI në Shqipëri.
Ky është viti i tretë që Ambasada PINK akordon çmimet kombëtare individëve nga të gjitha sferat e jetës për punën e tyre për të drejtat e LGBTI.
Ministrja Xhaçka u shpreh se ky çmim, e ngarkon me përgjegjësi për të punuar akoma më fort, kundër diskriminimit ndaj personave të këtij komuniteti të cilin, sipas saj, nuk e vuan vetëm individi direkt, por familja dhe e gjithë shoqëria.
Fjala e Ministres
Ditë e hapur – LGBTI
17 maj
Vendi ynë ka kaluar tranzicione të vështira, por po transformohet me ritme të mahnitshme. Të gjithë po dëshmojmë ndryshimin dhe progresin që kemi bërë së bashku, falë vullnetit të shoqërisë tonë për të përqafuar ndryshimet e nevojshme si dhe seriozitetit të qeverisë. Pjesë e progresit të bërë, janë hapat e hedhur në lidhje me situatën e të drejtave të njeriut në vend.
Dita e sotme përfaqëson një moment të rëndësishëm për të pasur vëmendjen e vendim-marrësve, medias, publikut të gjerë, opinionistëve, autoriteteve lokale, bizneseve, shoqërisë, prindërve, të rinjve dhe të rejave, në lidhje me situatën e LGBTI-ve në Shqipëri. Është një moment për të parë se sa kemi bërë drejt realizimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri, pavarësisht orientimit seksual apo identitetit gjinor.
Statistikat tregojnë që diskriminimi ndaj komunitetit LGBTI, është një problem i pazgjidhur ende, jo vetëm në Shqipëri. Unë vetë vij nga një eksperiencë jetese për një kohë të gjatë në Shtetet e Bashkuara dhe kam takuar dhe atje raste diskriminimi, diferencimi apo edhe përjashtimi të personave LGBT.
Ne të gjithë jemi të ndryshëm në shumë e shumë drejtime, por në të gjitha rastet jemi unikë. Dua të ndaj me ju hapur mendimin tim, se në çdo lloj rrethane, diskriminimi ndaj LGBTI-ve nuk lëndon vetëm njerëzit, por dhe familjet, edhe gjithë shoqërinë, sepse kështu tkurrim individin, cënojmë në mënyrë të pakuptimtë potencialin dhe kapitalin njerëzor, për të cilin sot kemi nevojë më shumë se kurrë.
Prandaj sot, ndryshe nga herët e tjera menduam të organizojmë një ditë të hapur me dyer të hapura në Ministri dhe në institucionet e varësisë, me qëllim që ne të parët të shprehim hapur mbështetjen për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe për komunitetin LGBTI në veçanti.
Jemi të gjithë dakord, që kemi bërë përpjekje dhe situata ka ndryshuar vitet e fundit:
Sot kemi një legjislacion më efikas kundër diskriminimit;
Komisioneri për mbrojtjen nga Diskriminimi e ka konsoliduar punën e tij;
Sot, të drejtat e LGBTI-ve diskutohen publikisht;
Sot, ka më shumë përfaqësues të fuqizuar dhe aktivë në mbrojtje të të drejtave të këtij komuniteti dhe mbi të gjitha përpjekjet dhe nismat në këtë fushë, tashmë koordinohen nga institucionet qeveritare dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Për arritjen e qëllimeve dhe objektivave të Planit kombëtar të veprimit për personat LGBTI, janë parashikuar ndërhyrje në disa nivele duke përfshirë: zhvillime legjislative, përafrimin e politikave dhe strategjive me qëllim përfshirjen e këtij komuniteti në çdo fushë, ngritjen dhe ofrimin e shërbimeve të standardizuara, trainimin e stafeve profesionale dhe ofruesve të shërbimeve, si dhe të aktorëve që merren me edukimin/informimin dhe ndërgjegjësimin publik, me një fokus të veçantë tek OJF-të që punojnë për të drejtat e njeriut.
Rezultatet që presim në vazhdim lidhen me përmirësimin e shërbimeve dhe komunikimit në sektorë të rëndësishëm, siç ështe arsimi, shëndetësia, policia, gjykata, prokuroria.
Konsolidimi i shërbimeve miqësore për komunitetitn LGBTI, kërkon bashkëpunim të fortë me pushtetin vendor dhe në marrim përsipër, që ky bashkëpunim jo vetëm të forcohet, por edhe të shoqërohet me plane konkrete që shkojnë në favor të komunitetit.
Ju ftoj të jeni pjesë e grupeve të punës, që ne si ministri do ngremë, për rritjen e kapaciteteve të punëdhënësve dhe eleminimin e diskriminimit në vendin e punës;
Meqënëse kemi bërë hapa përpara në Arsimin Profesional, ne do përdorim burimet që kemi për ofrimin e kurseve profesionale për personat LGBTI, me qëllim që të lehtësojmë përfshirjen e tyre në tregun e punës.
Komuniteti LGBTI në Shqipëri, është pjesë vitale e shoqërisë shqiptare dhe jam e sigurtë, që së bashku do japim mjaftueshëm shembuj pozitivë, për të bërë të mundur pranimin e çdokujt në jetën shoqërore pa dallime. E them këtë sepse, një shoqëri që respekton të drejtat e çdo individi i jep mundësi të gjithëve të avancojnë.
Kërkoj vëmendjen dhe dashamirësinë e të gjithëve, për të kuptuar se çdokush pavarësisht seksualitetit, meriton dashuri dhe respekt.
Dhe së fundmi gjej rastin të falenderoj organizatat LGBTI, që punojnë pa frikë dhe kundër paragjykimeve, të cilat na japin çdo ditë një mësim kurajoje dhe vendosmërie për kauza të rëndësishme në jetën e një shoqërie.
Nesër do i përshkruajmë fëmijëve tanë vendin ku kanë lindur dhe do ishte vërtetë bukur, nëse përshkruajmë një vend që të mbështetet tek vlerat dhe jo tek dallimet, një vend që rritet me sfidat e veta, por që ka nje të ardhme të shkëlqyer para.

