Djegia e makinës në garazh, kandidati socialist Beqir Mulaj: Fushatën e kam bërë me qetësi
Në mesnatë kandidatit të Partisë Socialiste për bashkinë e Hasit, Beqir Mulaj i është djegur automjeti brenda garazhit. Ky incident vjen vetëm pak ditë para mbajtjes së votimeve për zgjedhjet lokale më 14 Maj. Vetë Mulaj hedh poshtë pretendimet se ngjarja ka ndodhur për fushatë elektorale. Në një prononcim për mediat, ai tha se nuk ka konflikte me askënd, dhe nuk beson të ketë ardhur nga dora e njeriut dhe pret përgjigjen e organeve kompetente për të mësuar çfarë ka ndodhur.
“Në orët e para të mëngjesit jemi njoftuar përmes telefonit se po digjej magazina. Kemi ardhur këtu, kemi gjetur zjarrfikësen që ka bërë të mundur shuarjen e flakëve. Makina dhe të gjitha materialet që ndodheshin në magazinë janë djegur komplet.
Ky zjarr përkon me fushatën elektorale. Unë në cilësinë e kandidatit për kryetar bashkie s’kam koment se s’dua ta besoj, ta dyshoj apo keqpërdor, por të jem shumë i sinqertë se policia ka ardhur. Është bërë praktika e duhur dhe do pres me qetësi ekespertizën. Uroj që të mos ketë dorë njeriu. Dua të jem shumë korrekt, s’dua ta përdor dhe as mendja s’më shkon atje.
Gjithsesi i besoj organeve kompetente. Nuk kam asnjë konflikt. Edhe fushatën jam munduar ta bëj në mënyrë të qetë, qytetare, larg ngatërresave e zhurmës. Jam fokusuar te hallet e problemet e qytetarëve të Hasit se ky popull këtu ka nevojë për qetësi, për rregull. Unë nuk bëj pjesë te ata njerëz që vë gishtin. Nuk kam dyshime. Nëse ekspertiza do e nxirrte që është dora e njeriut, do më vinte keq”, tha Beqir Mulaj

