Drafti për të pastrehët, Seseri: Për herë të parë nuk ka dëbime me forcë
Projektligji për të pastrehët, i cili përfshin 6 programe të ndryshme për këtë shtresë të shoqërisë ka qenë në fokus të debatit në emisionin ‘Njerëz në Fokus’ të gazetares Ola Bruko në ‘News24’.
Të ftuar në studio ishin Aida Seseri, drejtoreshë e Strehimit në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit.
Klotilda Ferhati, kryetare e grupit socialist në këshillin bashkiak njëkohësisht kandidate për deputete në zgjedhjet e 18 qershorit.
Ilir Cumani, drejtor i përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Jetimëve Shqiptar si dhe Ferdiola Tare, aktiviste e mbrojtjes së komunitetit rom.
Ndërkohë në studio paralele ishte aktivisti i mbrojtjes së komunitetit egjiptian, Gentian Serjani.
Aida Seseri u shpreh se përmes këtij ligji i jepet fund problemit të të pastrehëve, ndërsa për herë të parë nuk do ketë dënime me forcë.
“Projektligji nuk dëbon të pastrehët. Për herë të parë nuk ka dëbime me forcë. Tashmë pa gjetur alternativë strehimi qytetarët nuk mund te hidhen në rrugë. Në lidhje me ligjin janë bërë konsultime me të gjitha grupet e interesit, ndërsa ai ka qenë on line edhe në internet dhe është konsultuar me 136 grupe interesi”- tha drejtoresha e Strehimit në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit.
Por drejtori i përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Jetimëve Shqiptar tha se projektligji nuk është konsultuar me grupet e interesit.
“Konsultimet duhet të bëhen me grupet e interesit që janë të licencuara nga shteti. Ju jeni konsultuar me grupe të palicensuara. Ju nuk jeni konsultuar me subjektet e lincensuara”- tha Ilir Cumani.
Ndërkohë kryetarja e grupit socialist në keshillin bashkiak dhe njëkohësisht kandidate per deputete në zgjedhjet e 18 qershorit tha se ky ligj adreson zgjidhje afatgjatë dhe ai do kalojë për miratim në legjislaturën e ardhshme.
“Ligj është për një plan afatgjatë për komunitet e caktuara në vite dhe jo vetëm për momentin. Ligji ekzistues u plotësua dhe vjen më pranë qytetarëve në nevojë. Ai adreson zgjidhjet afatgjata për të gjithë. Ligji është bërë me mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe ka nevojë ende për konsultim deri në miratimin përfundimtar. Ky projektligj do kalojë me legjislaturën e ardhshme“- tha Klotilda Ferhati.

