Elbasan – Fëmijët në situatë rruge, bashkia identifikon 48 raste
Bashkia e Elbasanit ka identifikuar 48 raste fëmijësh në situatë rruge, me të cilët është punuar për riintegrimin e tyre në shkollë. Mirëpo, sipas përgjegjëses së zyrës së mbrojtjes së fëmijëve në bashki, Nadire Kreka, prindërit në pesë prej këtyre rasteve i kanë kthyer sërish fëmijët për të lypur në rrugë, që ka sjellë edhe denoncimin nga ana e bashkisë në polici.
Nadire Kreka, Sektori i Mbrojtjes së Fëmijëve, Bashkia Elbasan: “Ka pasur edhe raste kur fëmijët pas mbështetjes që i është bërë familjes, rikthehen në rrugë të detyruar nga prindërit. Normalisht këto janë raste që në i klasifikojmë të përsëritura dhe masat normalisht që kanë qenë më të ashpra. Ne kemi arritur edhe në denoncime, në kallëzime për kryerjen e veprës penale të shfrytëzimit të fëmijëve .”
Një sfidë, sipas Krekës, është se familjet e identifikuara largohen nga Elbasani drejt një qyteti tjetër për të shfrytëzuar fëmijët e tyre. Gjatë periudhës së verës largohen më shumë drejt Kosovës . Kreka thotë se pas identifikimit të rasteve, mblidhet menjëherë grupi multidisiplinar për të shqyrtuar mundësitë e ndërhyrjes.
Nadire Kreka, Sektori i Mbrojtjes së Fëmijëve, Bashkia Elbasan: “Nuk mund të themi që është një “network” shumë i mirë, por që në bashkitë kryesore funksionon , pra kemi dhënien dhe marrjen e informacionit lidhur me lëvizjen e familjeve. Këtu përmend bashkinë Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Sarandë që janë dhe qytetet kryesore ku fëmijët dhe familjet lëvizin, sidomos gjatë periudhës së verës.”
Bashkia e Elbasanit ka vendosur në dizpozicion të qytetarëve edhe numrin pa pagesë 0800 800 për të denoncuar rastet e shfrytëzimit të fëmijëve.

