Europenext: Medresetë në Shqipëri dhe Ballkan, “shkollat e xhihadit” në zemër të Europës
Siç treguan ngjarjet e fundit në Europë, ka shumë gjasa që sulmet terroriste të jenë kryer nga xhihadistë të rritur në kontinentin europian dhe jo të “i importuar” nga vendet e lindjes.
Në shumicën e rasteve, autorët e akteve të fundit të tmerrshme në Gjermani, Francë dhe Britani të Madhe kanë lindur në këto vende: Janë qytetarë perëndimorë me histori vështirësish sociale dhe ekonomike të cilët në një moment specifik në jetën e tyre kanë rënë në kontakt me një narrative islamike / salafiste, nga e cila patën frymëzim, duke radikalizuar veten dhe duke sjellë terror e vdekje në të njëjtat shoqëri që janë rritur.
Terroristët e brendshëm janë bërë kështu fokusi i veprimeve parandaluese nga disa agjenci të inteligjencës dhe sigurisë.
Përpjekje të tilla, megjithatë, mund të mos arrijnë të kuptojnë një formë tjetër më delikate të “radikalizimit të brendshëm”, i cili aktualisht po zhvillohet në një rajon si Ballkani që tashmë figuron si furnizuesi më i madhi Evropës me xhihadistë të ISIS.
Kushtet ekonomike, sidomos në mesin e të rinjve, rritja e zhgënjimit ndaj integrimit evropian dhe një ndikim i vazhdueshëm i fortë nga faktorët islamikë si Arabia Saudite dhe Turqia janë disa nga elementet e një përzierje shqetësuese duke e kthyer Shqipërinë, Kosovën, Bosnjen, Maqedoninë dhe Sanxhakun në një zonë të radikalizimit islamik në rritje.
Pjesë e kësaj panorame janë edhe institucionet lokale islame, zyrtare dhe jozyrtare si dhe medresetë që drejtohen prej tyre. Episodet e fundit theksojnë rolin që shkollat islamike në Ballkan luajnë në radikalizimin e dhunshëm. Janarin e kaluar, policia shqiptare arrestoi Emine Alushin, një mësuese nga Medreseja e Shkodrës.
Një video e zbuluar në një stacion televiziv lokal tregoi znj. Alushi duke iu përgjigjur pyetjes së nxënësve për ISIS se kjo e fundit ishte “një organizatë muslimane që kërkon të sigurojë mbrojtje për muslimanët e Sirisë, Palestinës dhe Egjiptit”, duke shtuar se “Ata janë të mirë, por shteti dëshiron t’i luftojë” (Gazeta Shqiptare, 20 Janar).
Komuniteti Musliman i Shqipërisë (KMSH), i cili është përgjegjës për shkollën në Shkodër, reagoi shpejt duke thënë se mësuesja nuk përfaqësonte vijën zyrtare të medresesë “si institucion edukativ i KMSH”. Medreseja në Shkodër u ndërtua falë kontributit të agjencisë turke të ndihmës zyrtare TIKA dhe u përurua nga vetë Presidenti Erdogan përmes një video-konferencë në mars të vitit 2016. Sipas burimeve, në profilin e saj në Facebook mësuesja tregonte “adhurimin” për presidentin turk.
Trendet e mëtejshme shqetësuese vijnë nga Sanxhaku, rajoni me shumicë myslimane i ndarë mes Serbisë dhe Malit të Zi. Reis Rifat Fejiç, udhëheqës i Bashkësisë Islame në Malin e Zi, gjithnjë lëshon paralajmërime mbi aktivitetet e Medresesë në Rozhajë – një qytet i vogël në pjesën malazeze të Sanxhakut. Medreseja drejtohet nga Muftiu i Novi Pazarit, në anën serbe të Sanxhakut, Abdurrahman Kujevic, i cili është akuzuar haptazi për promovimin e një versioni radikal të Islamit. Kujeviç, vetë një malazez nga Rozaja, u përjashtua nga Bashkësia Islame zyrtare në 2014 për shkak të afërsisë me radikalin Muamer Zukorliç, myfti i Novi Pazarit.
KOHA JONË SONDAZH

