Familjet shqiptare në krizë, 1 në 3 çifte është divorcuar në 2016-ën
Qëndrueshmëria e familjeve shqiptare është cenuar në vitin 2016, teksa shihet se numri i martesave është ulur dukshëm dhe divorcet janë rritur në mënyrë dramatike.
Rritja vjetore e divorceve ka rezultuar e ndjeshme me një shtim 48% në krahasim me vitin 2015.
Gjatë dekadës së fundit, divorcet janë rritur në mënyrë të moderuar, por fenomeni shihet të ketë pësuar kërcim të madh në tre vitet e fundit.
Nga 14.8 divorce për 100 martesa në vitin 2007, në vitin 2013 ky tregues shënoi 15.8 divorce për 100 martesa, duke u ngjitur në 17.8 më 2014 dhe në 21 divorce për 100 martesa në vitin 2015.
Trendit në rritje të divorceve i korrespondon një numër më i ulët e martesave. Gjatë vitit 2016, në vendin tonë janë regjistruar rreth 22,6 mijë martesa me një rënie 9.7% më 2015.
Nëse analizojmë martesat sipas grupmoshës dhe gjinisë, shohim se te gratë më shumë se 54,9% e martesave realizohen deri në moshën 24 vjeç, dhe 83,0% e martesave realizohen deri në moshën 29 vjeç, raporton INSTAT.
Kjo shpjegon dhe moshën relativisht të re në martesë për gratë e cila është 25,1 vjeç. Për burrat 52,9% e martesave realizohen deri në moshën 29 vjeç, dhe 82,2% e martesave për këtë gjini realizohen deri në moshën 34 vjeç.
Një tregues interesant është norma e martesave sipas grupmoshave ndër vite. Shohim se kemi një rënie të normës së martesës deri në moshën 24 vjeç. Kjo shpjegon dhe rritjen e lehtë të moshës mesatare në martesë të grave.
Krahasuar me 10 vite më parë, gratë martohen relativisht tre vite më të mëdha. Ky ndryshim është relativisht i ngadaltë, por kjo sjellje vihet re me të njëjtin trend për të dy gjinitë.
Në këtë botim INSTAT ka llogaritur martesat e hershme për vajzat dhe djemtë në çdo moshë për grupmoshën 15-19 vjeç. Sa i takon numrit të vajzave të martuara para moshës 18 vjeç është 10 martesa.
Ndërkohë përqindja e vajzave të martuara në moshën 18 vjeç është 6,5% dhe për moshën 19 vjeç është 8,2%. Ndërkohë nuk ka martesa për djemtë para moshës 18 vjeç si dhe përqindja e djemve të martuar 18-19 vjeç është e papërfillshme. /Monitor/

