Federata Shqiptare e Basketbollit nderon Xhelal Mziun (FOTO)
Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, është nderuar nga Federata Shqiptare e Basketbollit me “Certifikatë Mirënjohjeje” për kontributin e dhënë në zhvillimin e basketbollit në qytetin e Kamzës. Çmimi iu dorëzua kryebashkiakut Mziu në kuadër të 70-vjetorit të FSHB-së nga sekretari i përgjithshëm i kësaj Federate, Korab Llazani, në një takim që u zhvillua në zyrën e kreut të Bashkisë.
Bashkë me certifikatën, z.Llazani i dhuroi kryebashkiakut edhe simbolin e 70-vjetorit të FSHB-së si dhe një album përgatitur për këtë vit jubilar, në të cilin Kamza ka një vend të rëndësishëm.
“Jam i emocionuar, u shpreh z. Mziu, sepse qyteti i Kamzës më në fund arriti që të ishte pjesë e sportit. Unë uroj 70-vjetorin e Federatës, por një përgëzim maksimal për presidentin, sekretarin e përgjithshëm dhe gjithë stafin drejtues. Unë ndihem shumë i kënaqur për basketbollin, për të cilin dua të vlerësoj maksimalisht trajnerin Adem Muhametaj, si banor i Kamzës, por edhe si një person që këmbënguli që Kamza duhet të përfaqësohet në basketboll. Sporti i basketbollit mbetet një sport, në radhë të parë, që ndikon pozitivisht tek qyteti, tek të rinjtë kryesisht, dhe ia ka arritur qëllimit, ndaj jam shumë i kënaqur, sepse kanë filluar tashmë me ekipet zinxhir, kurse në çdo shkollë orientohen drejt basketbollit dhe është për ta një sport shumë i mirë”.
Sekretari i përgjithshëm i FSHB-së, mes të tjerave tha se Kamza ka një vend të merituar në këtë 70-vjetor të Federatës Shqiptare të Basketbollit. Në emër të presidentit të Federatës dhe të tijin, z. Llazani shprehu mirënjohjen për kreun e Bashkisë Kamëz, z.Mziu.
“Mbështetja nuk ka munguar, ashtu siç bashkëpunimi nga këtu ka qenë shumë frytdhënës”,-u shpreh ndër të tjera z. Llazani, duke theksuar se sistemi i ekipeve zinxhir po funksionon dhe ka për të mbushur ekipet e Kamza Basket dhe premton për të ardhmen.
“Jeni duke bërë punën më të mrekullueshme, është puna më e mirë. Fakti që është duke u rritur numri i atyre që shkojnë drejt basketbollit, edhe nga shkollat, është një tregues pozitiv i jashtëzakonshëm”, pohoi sekretari i përgjithshëm i FHSB-së.
Kryebashkiaku Mziu tha se ndërtimi i pallatit të sportit do të ishte një zgjidhje jo vetëm për Kamzën, por edhe gjithë Shqipërinë, pasi projekti ka parametra bashkëkohorë, i hartuar nga një prej studiove më të mira në vend.


