
Gjashtë personalitete të shquara të Tiranës janë vlerësuar me dekoratën “Fisnikëria Tiranase”, në një aktivitet të organizuar nga Shoqata “Tirana” “Nderi i Kombit”.
Në ceremoninë e ndarjes së dekoratave mori pjesë edhe Prefekti i Qarkut Tiranë dhe Kryetari i Asamblesë së Shoqatës “Tirana”, Shkëlqim Hajdari, i cili e cilësoi vlerësimin një shprehje mirënjohjeje për kontributin e figurave të spikatura të qytetit në fusha të ndryshme të jetës.
Dekoratat iu akorduan personaliteteve me kontribute në kulturë, art, shkencë, arsim dhe bamirësi, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e tyre ndër vite.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Hajdari theksoi se këto vlerësime janë një mënyrë për të nderuar njerëzit që kanë kontribuar në pasurimin e jetës shoqërore dhe në promovimin e emrit të Tiranës.
“Të vlerësosh njerëzit që kanë dhënë nga vetja për të mirën e përbashkët do të thotë të nderosh vlerat, kujtesën dhe shpirtin e qytetit tonë”, shkruan Hajdari.
Në përfundim të mesazhit të tij, Prefekti i Tiranës shprehu mirënjohje dhe respekt për të gjithë të dekoruarit, duke uruar që kontributi dhe shembulli i tyre të shërbejnë si frymëzim për brezat e ardhshëm.