Gjyshërit kërkojnë ndihmë për rritjen e 6 fëmijëve jetimë: Djali e kërkoi vetë burgun!
Familjarët e Çlirim Shahollit, autorit të vrasjes së bashkëshortes së tij, Ardiana, dënojnë ashpër veprimin dhe sjelljen e të birit të tyre.
Babai i autorit, Zaim Shaholli tregon për Ora News se djali i tij nuk ishte një kryefamiljar i denjë dhe meriton të dënohet nga drejtësia me dënim maksimal.
Ai pranoi se djali i tij nuk punonte dhe pinte alkool, si dhe kishin përplasje dhe konflikte me bashkëshorten, e cila punonte në një rrobaqepësi.
Zaim Shaholli: “Ai e kërkoi vetë burgun. Nuk punonte, se po të punonte nuk do të ishte katandisur kështu. Nuk punonte se nuk i donte qejfi, nuk ka punë këtu, nuk ka punë atje. Edhe pinte, edhe duhan konsumonte dhe budallallëqe bënte. Nuk e mendoja këtë, se kishte sherre të vogla dhe mund ti mbyllnim brenda për brenda por ky sherr nuk mbyllej.”
Zaimi thotë se familja e ka braktisur Çlirimin dhe gjashtë fëmijët e mbetur jetim tashmë do të jenë përgjegjësia e tij dhe e bashkëshortes, të cilët jetojnë me pencionin e tyre. Dy të moshuarit, gjyshër të gjashtë fëmijëve të mbetur jetim, bëjnë apel të ndihmohen ekonomikisht pasi nuk e përballojnë dot jetesën e vështirë.
Zaim Shaholli: “La fëmijët, s’kanë ku të shkojnë, neve na kanë tani si prindër. Njëherë me darkë, njëherë pa darkë. Me 180 mijë lekë të vjetra jemi ushqyer 10 veta.”
Mësohet se gjashtë fëmijët, tre prej të cilëve ndodhen në një kamp veror, do të vazhdojnë të qëndrojnë me gjyshërit, ndërsa presin mundësinë e ndonjë ndihme të mundëshme nga fondacione të ndryshme.
/Ora News

