Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pas publikimit të progresraportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një nga vlerësimet më kritike për vendin ndër vite. Bardhi akuzon qeverinë e drejtuar nga Edi Rama për keqqeverisje, duke argumentuar se problematikat e evidentuara nga Brukseli pasqyrojnë situatën e vështirë politike dhe institucionale në vend. Sipas Bardhit, raporti evidenton shqetësime që lidhen drejtpërdrejt me arsyet pse studentët, të rinjtë dhe qytetarë të shumtë kanë dalë në protesta gjatë muajve të fundit. Kreu i grupit parlamentar të PD-së thekson se përgjegjësia për këto problematika bie mbi kryeministrin Rama, i cili, sipas tij, nuk mund të jetë njëkohësisht shkaktari dhe zgjidhësi i krizës.
Reagimi i plotë
Raporti i Komisionit Europian 2026 për Shqipërinë, në mënyrë të përmbledhur:
1. Evidenton mosfunksionimin demokratik të Parlamentit dhe cenimin e të drejtave kushtetuese të opozitës.
2. Evidenton se korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë reale për Shqipërinë.
3. Evidenton shkeljen e parimit të barazisë përpara ligjit në çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
4. Evidenton moszbatimin nga shumica parlamentare të disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
5. Evidenton nevojën për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, që është urgjentisht e nevojshme, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
6. Evidenton se reforma territoriale dhe administrative në zhvillim, e shoqëruar me një tendencë drejt ricentralizimit, ka krijuar pasiguri për njësitë e vetëqeverisjes vendore.
7. Evidenton kapjen e shtetit nga partia në pushtet, përmes politizimit të të gjitha emërimeve në institucioneve e pavarura kushtetuese dhe ligjore.
8. Evidenton se Avokati i Popullit u zgjodh vetëm me votat e shumicës qeverisëse, duke thyer traditën e konsoliduar të konsensusit ndërpartiak.
9. Evidenton që Qeveria ka ndërmarrë nisma ligjore që nuk përputhen me acquis-in e BE-së dhe standardet europiane, përfshirë miratimin e një ndryshimi në ligjin për portet turistike.
10. Evidenton nevojën për forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Të gjitha këto janë arsye për të cilat studentët, të rinjtë, qytetarët shqiptarë, protestojnë prej ditësh e muajsh tashme. Këto problematika nuk i zgjidh dot Edi Rama, që është shkaku i tyre. Prandaj zëri i të rinjve duhet të dëgjohet. Shqipëria ka nevojë për largimin e Edi Ramën, ka nevojë për një qeveri kujdestare që përgatit vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe për plotësimin e kushteve të anëtarësimit në BE.
