Heshtja pas zhurmës, Orkestra Simfonike e Shkodrës dhe prova e së vërtetës!

Besi Bekteshi

Nga shpërthimi emocional dhe deklaratat plot patos të Mjeshtrit Jetmir Barbullushi, deri tek një koncert i qetë, i nivelit të lartë dhe i duartrokitur pa polemika, duket se Orkestra Simfonike e Shkodrës po shfaq një kapitull të ri në historinë e saj kulturore. E çuditshme, por njëkohësisht domethënëse, është heshtja që e pasoi koncertin e fundit nën drejtimin e dirigjentes Elda Laro.
Ku shkuan akuzat për komplot? Ku u tretën “muzikologët” e indinjuar që dikur shihnin te Bashkia një dorë të errët kundër artit?
Në ditët e polemikave që shpërthyen pas mospërtrirjes së kontratës së zotit Barbullushi, shfaqej një narrativë e njohur shqiptare: padrejtësi, hakmarrje politike, sulm ndaj vlerave lokale dhe denigrim i trashëgimisë artistike. Figura të njohura publike, muzikologë – muzikantë, po edhe gazetarë dhe vetë artisti në fjalë u ngritën me ton dramatik për të mbrojtur, siç thoshin, jo vetëm një individ, por vetë “kulturën e Shkodrës”. Në këtë sfond, Bashkia e qytetit, dhe personalisht kryetari Benet Beci, u përshkruan si autorë të një “krimi kulturor”, me ndryshimin e drejtuesit të orkestrës që u paraqit si një lëvizje me motive joartistike, por politike. Dikush tha: duan të vdesin orkestrën. Kurse politika e personalizoi si gjithmonë ka zakon!
Por muzika, si art që gjykohet në skenë dhe jo në konferenca shtypi, ofroi përgjigjen e saj me koncertin e fundit. Me mjeshtrinë e një drejtueseje si Elda Laro — shkodrane me përvojë ndërkombëtare — orkestra dha një performancë që nuk kishte nevojë për mbrojtje politike, por që fitoi vlerësim artistik. Ana Naqe u duartrokit për virtuozitetin e saj, por edhe për harmoninë që kishte me orkestrën, një tregues i qartë i punës së mirë ekipore. Nuk u dëgjua më asnjë thirrje për “vrasje të artit” apo “tradhëti ndaj Shkodrës”.
Kjo heshtje është më e zhurmshme se çdo protestë. Ajo flet për një realitet: shumë nga ata që e përdorën kulturën si një instrument politik nuk ishin të interesuar realisht për orkestrën, por për agjenda personale apo për protagonizëm. Nëse dikur kritikonin me zë të lartë, sot janë të heshtur për një sukses që, në mënyrë të heshtur, jo duke bërtitur e mohon narrativën e tyre. Nuk shkuan ( apo shkuan) në koncert, nuk shkruan asgjë për të, dhe as nuk patën kurajon të pranonin që pas ndryshimit të drejtimit, orkestra jo vetëm që mbijetoi, por edhe lulëzoi.
Kultura në Shkodër nuk është pronë e askujt. Nuk është një kështjellë e rrethuar me emra dhe privilegje. Ajo është një hapësirë e përbashkët që jeton falë cilësisë, përkushtimit dhe, mbi të gjitha, përballjes me publikun. Koncerti i fundit i Orkestrës Simfonike nuk ishte thjesht një ngjarje muzikore — ishte një provë e heshtur, por e fuqishme, që e shpëtoi kulturën nga retorika dhe e riktheu në “lokacionin” ku ajo e ka vendin: në skenë.
Sot është koha jo për të kujtuar polemikat, por për të nxjerrë mësim prej tyre. Kultura ka nevojë për përkrahje, jo për shfrytëzim politik. Ka nevojë për vlerësim të qetë dhe profesional, jo për shfryrje emocionale që pasohen nga heshtje komode kur faktet e hedhin poshtë retorikën. Është koha që Shkodra të vazhdojë të ecë përpara me orkestrën e saj, me artistët që i përkasin qytetit dhe skenës, jo zhurmës së rrjeteve.
Sepse arti věrtetë, si gjithmonē, mbijeton zhurmes. Dhe muzika, gjithmoně, thotẽ tế věrtetën pa fjalë.
Në këtë rikthim të qetësisë profesionale, nuk mund të mos veçohet figura e dirigjentes Elda Laro — një emër që nuk ka nevojë për prezantime bombastike, sepse përvoja e saj ndërkombëtare flet vetë. E formuar dhe e vlerësuar në skena të njohura të Evropës, nga sallat gjermane tek bashkëpunimet me institucione prestigjioze europiane, Laro solli në Shkodër jo vetëm standardin e një drejtueseje të sprovuar, por edhe etikën e një profesionisteje që e vendos artin mbi egon. Në një kohë kur shumë emra të njohur ndonjëherë përdorin postin për protagonizëm personal, Laro zgjodhi të komunikojë përmes muzikës dhe jo përmes statuseve në rrjete sociale. Ajo e riktheu orkestrën në boshtin e saj artistik, duke e liruar nga ngarkesat e një diskursi emocional e politik që nuk i përkiste artit. Me një qasje të disiplinuar dhe një ndjeshmëri interpretative që respekton si individualitetin e muzikantëve, ashtu edhe harmoninë kolektive, Elda Laro provoi se shkodrania që punon në Europë nuk është “e huaj”, por pikërisht ura që lidh Shkodrën me atë Evropë kulturore të cilës i kemi aspiruar gjithnjë t’i përkasim.

SHKARKO APP