Hiroshima, 6 gusht 1945, sekondat apokaliptike që e ndanë njerëzimin në dy epoka

Nga Albert Vataj
Më 6 gusht 1945, në orën 08:15 të mëngjesit, me shpërthimin një çast më vonë, në 08:16, mbi Hiroshima nuk u gris vetëm qielli. U ça vetë ndërgjegjja e njerëzimit. Ai mëngjes vere, që kishte nisur si çdo mëngjes tjetër me hapa fëmijësh drejt shkollës, me punëtorë që hapnin dyert e punishteve dhe me jetë që rridhte në ritmin e zakonshëm të qytetit, u shndërrua brenda pak sekondash në kufirin tragjik mes botës që kishte qenë dhe asaj që do të vinte.
Pas një udhëtimi prej vetëm 43 sekondash, e lëshuar nga bombarduesi B-29 “Enola Gay”, bomba atomike me uranium, e pagëzuar me emrin ironik “Djali i Vogël” (“Little Boy”), shpërtheu rreth 600 metra mbi qytet. Lartësia nuk ishte zgjedhur rastësisht. Ajo ishte rezultat i një llogaritjeje të ftohtë matematikore, ku shkenca ishte shkëputur nga ndërgjegjja dhe ishte vënë në shërbim të shkatërrimit absolut, lartësi e kalkuluar për maksimizim të forcës goditëse, për dëshmim se si jeta eksperimenton kultivimin e vdekjes.
Ajo që erdhi më pas
Brenda një sekonde, një sferë zjarri me diametër rreth 274 metra përfshiu qiellin, ndërsa një dritë verbuese, më e fortë se çdo agim që kishte njohur ndonjëherë njeriu, përpiu qytetin, gjithçka u la në dritë dhe vdekje. Mbi Hiroshima nisi të ngrihej reja famëkeqe në formë kërpudhe, simboli më i errët i shekullit XX, që do të ngjitej drejt stratosferës si një monument i tmerrit njerëzor.
Në hipoqendrën e shpërthimit, temperatura në sipërfaqen e tokës arriti deri në 3.800–4.000 gradë Celsius. Ishte një nxehtësi që nuk digjte, ajo zhdukte, ajo kthente ekzistencën në origjinën e saj të mijëraviteve të thërmijës.
Guri u shkri, çeliku u përdrodh si dyll, ndërsa trupat njerëzorë u avulluan në një çast, duke lënë pas vetëm siluetat e tyre të stampuara mbi shkallë, mure e trotuare. Ato “hije atomike” mbeten edhe sot dëshmia më e dhimbshme se ndonjëherë edhe mungesa mund të ketë një formë.
Pak sekonda më vonë, një valë goditëse me shpejtësi rreth 1.500 kilometra në orë u përplas mbi qytet, duke rrafshuar me tokën rreth dy të tretat e ndërtesave. Hiroshima nuk u pushtua; ajo u fshi nga harta e jetës.
Rreth 80 mijë njerëz humbën jetën ose u plagosën rëndë në çastin e shpërthimit. Por vdekja nuk kishte thënë ende fjalën e saj të fundit. Ajo vazhdoi të ecte e padukshme, e heshtur dhe e pamëshirshme përmes rrezatimit gama. Në orët që pasuan, mbi qytetin e karbonizuar ra i ashtuquajturi “shi i zi”, një shi i ngarkuar me grimca radioaktive që helmoi ujin, tokën dhe çdo shpresë për mbijetesë.
Në muajt e mëvonshëm, sëmundja e rrezatimit vazhdoi të merrte jetë. Fëmijë, gra, pleq e të mbijetuar, që kishin menduar se i kishin shpëtuar flakës, u rrëzuan njëri pas tjetrit nga një armik që nuk shihej. Numri i viktimave u rrit në mbi 140 mijë, sipas disa vlerësimeve deri në 180 mijë njerëz. Ata që mbetën gjallë, hibakusha, nuk mbartën vetëm plagët në trup. Ata u bënë kujtesa e gjallë e ditës kur njeriu provoi se ishte i aftë të ndërtonte armën që mund të tejkalonte vetë imagjinatën e së keqes.

Gjithçka preku fundin
Një prej të mbijetuarve do ta përshkruante atë çast me fjalë që ende sot tingëllojnë si një kambanë për ndërgjegjen e botës:
“Pamë një dritë më të shndritshme se një mijë diej… dhe pastaj erdhi heshtja, era e vdekjes.”
Hiroshima nuk është vetëm emri i një qyteti. Ajo është një plagë e hapur në kujtesën e qytetërimit. Është dita kur shkenca tregoi madhështinë e saj teknologjike, por edhe varfërinë e saj morale, kur progresi humbi fytyrën njerëzore dhe civilizimi pa se sa e hollë është vija që ndan dijen nga shkatërrimi.
Çdo 6 gusht nuk përkujtojmë vetëm viktimat e një bombe. Përkujtojmë çastin kur njerëzimi kuptoi se fuqia më e madhe nuk është aftësia për të shkatërruar një qytet, por urtia për të mos e bërë kurrë më.
KOHA JONË SONDAZH

