Ish-futbollistët e njohur në mbështetje të Lekbellos
Pas klubit të Skënderbeut dhe iniciativave të sensibilizimit të ndërmarra nga disa media në Greqi edhe ish kolegë dhe miq të Artur Lekbellos në vendin tonë janë vënë në lëvizje për të dhënë kontributin e tij ndaj ish futbollistit të Kombëtares që po përballet me një moment kritik.
Nëpërmjet një letre drejtuar presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, disa prej emrave më të njohur të futbollit shqiptar kërkojnë angazhimin e institucioneve shqiptare për t’i ardhur në ndihmë Lekbellos që po lufton me një sëmundje të rrallë në Selanik.
Në letrën e hartuar mes të tjerëve edhe nga Krenar Alimehmeti, Agustin Kola, Florian Riza dhe Sulejman Mema sqarojnë se fondet që kërkohen për kurimin e 51-vjeçarit janë të papërballueshme nga familja e tij.
Në këtë mënyrë ata bëjnë me dije se kanë krijuar një grup pune për të sensibilizuar biznese, individë dhe institucione të ndryshme të cilët mund të ndihmojnë për të ndihmuar sadopak ish qendërmbrojtësin e Tiranës dhe Kombëtares.
Në vijim ata vënë theksin te kontributi që Lekbello ka dhënë për futbollin shqiptar dhe u kërkojnë drejtuesve të tre institucioneve kryesore të vendit të vendosin të gjitha mekanizmat që kanë në dispozicion për t’i ardhur në ndihmë Lekbellos.

