Kërkoi pafajësi, Gjykata e Lartë jep vendimin e prerë për Arben Frrokun
Gjykata e Lartë nuk ka pranuar ankimimin e Arben Frrokut duke ka lënë sot në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda dhe dënimin me burg të përjetshëm për të.
Vendimi në fjalë vjen pas kërkesës së Arben Frrokut për pafajësi, në të cilën argumentonte se ishte dënuar padrejtësisht për vrasjen e Lamajt.
Arben Frroku aktualisht ndodhet në Holandë dhe është në pritje të ekstradimit. Pas zhdukjes, Frroku u arrestua me urdhër ndërkombëtar arresti. Ai u kap në Schiphol me pasaportë greke të falsifikuar me emrin Renato Çepa.
Vrasja e kryekomisar Dritan Lamaj ndodhi më 24 shkurt të vitit 2013. 41-vjeçari u qëllua me kallashnikov ndërsa ndodhej në makinën e tij.
Autorët e larguan me një makinë BMË të blinduar, automjet në të cilin u gjetën shenjat e gishtërinjve dhe fije floku të biznesmenit Arben Frroku. /BW

