KLSH i hap letrat Kuvendit – Deputetët, tatim 23% për pjesëmarrje në komisione parlamentare
Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon tatim më të lartë për 140 deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për pjesëmarrje në komisione parlamentare. Kontrolli i Lartë i Shtetit pas auditimit të bërë në Kuvendin e Shqipërisë konstaton se deputetët për pagesën e të ardhurave për pjesëmarrje në komisionet të deputetëve është mbajtur tatimi në burim në masën 15% e shumës së përfituar, në kundërshtim me kërkesat e ligjit 8438.
Sipas KLSH, administrata e Kuvendit ka zbatuar pikën 5 gërma c e vendimit 114 të vitit 2014 për trajtimin e deputetëve ku thuhet se tatimi i shpërblimeve për pjesëmarrje në komsioni do të konsiderohet si tatim në burim. Por për KLSH ky përcaktim bie në kundërshtim me parashikimin e nenit 9 të ligjit 8435, ku thuhet se nga 0-30 000 lekë ka zero tatim, nga 30 000 në 130 000, 13% e shumës mbi 30 000 lekë dhe për pagat mbi 130 000 deri në 13 000 lekë, llogaritet plus 23% e shumës mbi 130 000.
KLSH sqaron se Udhëzimin nr. 5, të vitit 2006 “Për tatimin mbi te ardhurat” parashikohet se, “në grupin shpërblime të tjera përfshihen gjithashtu të ardhura që realziohen nga pjesëmarrja e individit në komisione, në rastet kur shpërblimi i përfituar për pjesëmarrje në komisione, komitete, këshilla, borde drejtuese, këshilla mbikëqyrëse etj., paguhet në qendrën efektive të punës së individit, këto të ardhura do të tatohen duke u bashkuar me pagën e muajit përkatëse.
Pas auditimit KLSH i ka kërkuar Kuvendit të Republikës ti kërkojë Byrosë së Kuvendit menjëherë shfuqizimin e pikës 5 gërma c e vendimit 114 i vitit 2014 “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”. Auditimi ka përfshirë vitin 2015 dhe 2016 dhe u konstua se për pagesën e të ardhurave për pjesëmarrje në komsionet parlamentare të deputetëve është mbajtur tatimi në burim 15% të shumës së përfituar. Po ashtu janë konstatuar mangësi në dokumentacion në dosjet e auditimit të brendshëm që lidhen me programin e masave, cilësinë, dosje të cilat rezultojnë të painventarizuara.
TATIMI I KËRKUAR NGA KLSH
- Nga 0 – 30,000 lekë, 0%;
- Nga 30,001 – 130,000 lekë, 13% e shumës mbi 30,000 leke
- Mbi 130,000 lekë, 13,000 lekë + 23% e shumës mbi 130,000 lek”
/Oranews

