Kujdes me ujin e pijshëm! Turbullohet liqeni i Bovillës
Përmbytjet në vend, në prag të një situate të jashtëzakonshme, kanë trubulluar edhe liqenin e Bovillës. Impianti është stakuar për shkak të turbullirës së shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut në liqenin e Bovillës. Bashkia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes me përdorimin e ujit të pijshëm.
“Qytetarët të tregohen të kujdesshëm me përdorimin e ujit të pijshëm gjatë orëve në vijim, derisa turbullira e shkaktuar nga prurja e madhe e rrjedhjeve në liqenin e Bovillës të pastrohet dhe impianti të kthehet në punë në kapacitet të plotë.
UKT ka marrë masat duke furnizuar me bote në mënyrë të pandërprerë të gjitha institucionet e rëndësisë së veçantë sidomos spitalet, maternitete, azile dhe konvikte etj., në mënyrë që ky problem të mos ndikojë në ecurinë normale të punës së tyre. ”UKT ka në dispozicion 20 bote që furnizohen vazhdimisht me ujë të pijshëm dhe shpërndahen në mënyrë të organizuar. Për çdo problematikë me ujin e pijshëm, UKT ka në dispozicion numrin e saj pa pagesë 08004488”, thekson Bashkia e Tiranës.
Po ashtu Bashkia e Tiranës njofton se nga matjet që stafi i Ujësjellës-Kanalizime Tiranë kryen çdo 15 minuta, niveli i turbullirës në impiant rezulton 13.000 NTU, nga 50-65 NTU që duhet të jetë normalisht për t’u futur në përpunim, e më pas për shpërndarje në çezmat e qytetarëve. ”Për këtë arsye, momentalisht impianti i përpunimit të ujit të liqenit të Bovillës është stakuar. UKT po shfrytëzon maksimalisht të gjitha burimet e saj alternative, konkretisht burimet e Shën Mërisë, Selitës, Bërxullit dhe Laknasit, për të ulur sa të jetë e mundur mungesën e ujit të pijshëm për qytetarët e Tiranës, deri në përmirësimin e situatës në Bovillë”.

