Kurbin/Vjehrri masakron me levë nusen, shkak “Tradita” se nuk i shërbeu…
Një krim i rëndë brenda familjes, ka tronditur banorët e fshatit Zheje të Kurbinit, ku vjehrri vrau me levë nusen e djalit, mëngjesin e sotëm. Krimi vjen nga një zënkë mes tyre, ku mësohet se vjehrri vazhdimisht kishte ankesa se nusja, Vera Tota nuk i shërbente mirë.
Nga hetimet e para, thuhet se sherri i radhës mëngjesin e sotëm ndodhi pasi vjehrri u ankua se nusja nuk po i shërbente kafenë. Për rrjedhojë debati mes tyre agravoi në momentet kur vjehrri rrëmbeu një levë dhe e qëlloi në kokë nusen e djalit. Gjithçka ndodhi në banesë, ndërkohë që dy fëmijët e çiftit ishin në gjumë, kurse burri i saj në punë, pasi është polic privat dhe punon gjatë natës.
Tota u gjet e pajetë nga fqinjët e saj, pasi vjehrri u largua pasi e qëlloi për vdekje. Referuar burimeve, vjehrri kishte tentuar ta vriste nusen edhe para një viti, pas sherreve po për çështjen e shërbimit.
Njoftimi i policisë
Me datë 03.05.2017, në orët e para të mëngjesit është marrë njoftim se është gjetur e vdekur në banesë shtetasja V.T. 41 vjeçe, banuese në Zhejë-Kurbin.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore ku kanë konstatuar se shtetasja V.T është goditur fizikisht me mjete të forta (levë) ku si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se autor i dyshuar është vjehrri i saj shtetasi Noc Tota, 75 vjeç, banues në Zhejë – Kurbin, i cili është larguar nga banesa pas ngjarjes por falë veprimeve të shpejta policore u bë e mundur kapja dhe shoqërimi i tij.
Krimi dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti mes autorit të dyshuar dhe viktimës pas një konflikti për motive të dobëta.
Grupi hetimor në vendngjarje po vazhdon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

