Kush e vrau Artan Cukun? Zbulohet “killeri” i dytë
Kush e vrau ish-komisarin Artan Cuku? Përgjigjen e kësaj e “fsheh” policia dhe prokuroria. Kur në masën “arrest me burg” qëndron Mikel Shallari, ekzekutori por jo “vrasësi”, pistat e gjakëmarrjes po shuhet dita-ditës. Kjo pasi, ish-kolegë të Cukut, reaguan dje përmes një deklarate për shtyp se, në fakt për ta Cukun e vrau shteti.
Shallari refuzon të flasë dhe që të pranojë vrasjen, ndërsa si policia, ashtu edhe prokuroria kanë vijuar edhe ditën e djeshme ta konsiderojnë si ekzekutorin e vetëm të Artan Cukut.
Ditën e djeshme, informacionet e dala nga burime të ndryshme kanë implikuar edhe një kushëri, njeri të afërt të djalit të arrestuar, i cili dyshohet se ka ndihmuar të riun të largohet nga vendi i ngjarjes. Në momentin kur autori i krimit të rëndë ka qenë duke ndërruar rrobat te kazani i plehrave ka qenë i vetëm dhe për këtë fakt janë disa dëshmitarë okularë, të cilët kanë parë personin dhe të gjitha veprimet e tij deri sa është larguar dhe ka hyrë në turmën e tifozerisë që sapo kishte lënë shkallët e stadiumit “Dinamo”.
Policia, duket se është e bindur se bëhet fjalë për dy armë që kanë qëlluar në vendin e ngjarjes e për pasojë edhe të afërmin e autorit të krimit e konsiderojnë si pjesëmarrës në vrasje.
Hetimet nuk kanë më në fokus vetëm familjen e Prelë Dakës, që prej më shumë se dy muajsh policia i ka hyrë në shtëpi me dhjetëra herë, ndërsa mbi ta rëndonte dhe pesha e gjakmarrjes, pasi ishin personat e parë që u akuzuan për vrasjen e komisarit të Policisë, Artan Cuku, për shkak të një lidhjeje të vjetër me ngjarjen e rëndë që iu kishte ndodhur atyre.

