Kush është i forti nga Tropoja që bënte shantazh në “Facebook” për 10000 euro
Një i ri nga Tropoja është arrestuar dje në Tiranë pas një operacioni mes forcave të policisë së Shkodrës dhe forcën operacionale të Policisë së Shtetit, por para kapjes ka vënë në vështirësi efektivët të cilët e kanë ndjekur nëpër kryeqytet.
“BalkanWeb” shkruante dje se i riu nga Tropoja me “Touareg” pas rreth 30 minutash ndjekje është bllokuar në zonën e quajtur “kupola” pranë Drejtorisë së Doganës ku policia është detyruar të qëllojë dhe në ajër për të neutralizuar të drejtuesin e tij.
Sot Policia e Shkodrës jep identitetin e tij, pasi ai ishte në kërkim për gjobëvënie ndaj një shtetasi, të cilit i kishte kërkuar 10 mijë euro në rrjetet sociale dhe shuma do t’i jepej pikërish dje, kur është kapur nga policia.
OPERACIONI
Më datë 30.05.2017 shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, kanë finalizuar me sukses Operacionin Policor të Koduar “Messenger”.
Operacioni është zhvilluar pas një hetimi për dokumentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
Tauland Neçaj 27 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Laprakë, Tiranë.
Për këtë rast Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë, kishte regjistruar procedimin penal për shtetasin Tauland Neçaj, pasi:
Ky shtetas nëpërmjet komunikimit telefonik dhe aplikacioneve të rrjeteve sociale ka shtrënguar me anë të kanosjes shtetasin me iniciale P.S, për t’i paguar 10000 euro, shumë të cilën shtetasi P.S. do t’ia jepte më datën 30.05.2017 në Tiranë.
Ky shtetas më datë 30.05.2017, në Tiranë, në vendin e quajtur “Zogu i Zi”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë për të ndaluar por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi në sens të kundërt me mjetin e tij tip “Touareg”, me targa AA 864 RH, duke dëmtuar tre automjete.
Me ndërhyrjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit pas disa minutash është bërë e mundur kapja e tij.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip “Touareg”, 4 aparate telefoni celulare dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike canabis sativa.
Në ngarkim të shtetasit Tauland Neçaj janë referuan materialet procedurale Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprat penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Shkatërrimit të Pronës” si dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë̈ së rendit publik”, vepra penale këto të parashikuara nga nenet 109/b , 283, 150 e 236 të Kodit Penal./BW

