LAJM I FUNDIT/ Incident në Shkodër, të rinjtë e PD-së i bllokojnë rrugën Ramës. Ndërhyn policia (Video)
Një incident i ka ndodhur shefit të qeverisë sot në qytetin e Shkodrës. Kryeministri Edi Rama zhvillon sot në qytetin verior një takim me të rinjtë, por nga ana tjetër kanë qenë disa të rinj të Forumit Rinor të Partisë Demokratike që i kanë bllokuar rrugën.
Gazetari Senad Nikshiqi raportoi për “BalkanWeb” se të rinjtë e FRPD me parulla në duar “Jo monizëm”, “Jo zgjedhje me drogë” dhe “Jo blerjes së votës” i kanë dalë para dhe nuk e kanë lejuar kryeministrin të vazhdojë rrugën për pak çaste. Më pas ka ndërhyrë Policia e Shkodrës, e cila mundësoi largimin e protestuesve dhe kalimin e kryeministrit drejt qytetit.
Takimi i Ramës me të rinjtë do të zhvillohet para Prefekturës, ndërkohë që gjatë ditës së sotme, ky aktivitet i kreut të qeverisë ka sjellë edhe përplasje mes policisë bashkiake dhe asaj të rendit.

