Lezhë/ Kandidatit për deputet i vihet pistoleta në kokë: Dil nga gara!
Nisin problemet e para serioze të fushatës elektorale.
Një kandidat për deputet në qarkun e Lezhës është kërcënuar me armë në kokë, në mënyrë që të tërhiqet nga kandidimi. Kallëzimin e ka bërë vetë Luigj Ndoci, kandidati i Partisë Kristian Demokrate në Lezhë.
Njoftimi i Policisë:
Komisariati i Policisë Lezhë Më datë 04.06.2017, rreth orës 12.30, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Lezhë, shtetasi L.N. vjeç 34, banues në Shënkoll në Lezhë, përfaqësues i një subjekti politik, aktualisht kandidat për deputet në qarkun Lezhë.

Ky shtetas ka kallëzuar se më datë 03.06.2017, rreth orës 23:15, në momentin që ka qenë duke shkuar në banesën e tij është kanosur nga 2 persona të panjohur dhe të maskuar që sipas kallëzuesit dispononin armë zjarri pistoletë , të cilët pasi e kanë ndaluar me automjetin e tij, e kanë kërcënuar duke i kërkuar që të tërhiqej nga kandidimi.
U kryen veprimet e para hetimore dhe po punohet për identifikimin e autorëve të dyshuar dhe dokumentimin e ngjarjes. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Neni 325 i Kodit Penal.

