Lleshaj kërkon një drejtor për Policinë nga ushtria
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, sipas burimeve të gazetës ”Tema”, do të propozojë për të emëruar drejtor të Përgjithëshëm të Policisë nga radhët e ushtrisë.
Kjo strategji duket se do të bëhet fakt, pasi sipas burimeve tona, ai ka dhënë urdhër për ngritjen e grupeve të punës për propozime, për ndryshimin e ligjit 108 “Për Policinë e Shtetit”.
Respektivisht, ai ka dhënë orientime për ndryshimin e dispozitave të nenit 13 të ligjit “Kriteret e emërimit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë”.
Gjithashtu orjentime ka dhënë edhe për ndryshimin e dispozitave të nenit 14 të ligjit “Emërimi dhe Kriteret e emërimit të zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit”. Këto ndryshime synojnë injektimin e dispozitave që do të lejojnë emërimin në këto detyra nga ushtria. Me këto ndryshime duket se Lleshaj do të pasojë me ndryshime të mëpasshme thelbësore në strukturat drejtuese të Policisë.

