Manastirliu: Spital ditor dhe ambiente të reja për konsultat, shmanget kaosi në pediatri
Krijohen për herë të parë në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ambiente të posaçme për konsultat dhe një spital ditor, duke shmangur kaosin dhe fluksin e pacientëve në pavionet e spitalit të fëmijëve.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë inaugurimit të ambienteve të reja të Pediatrisë, u shpreh: “Finalizojmë sot këtë projekt që ndan shërbimin spitalor nga shërbimi ambulator, duke i krijuar kushte më të mira mjekëve por edhe pacientëve, të cilët vijnë për konsulta apo për të marrë shërbime ditore pranë Pediatrisë së QSUT-së”.
Deri dje, këto ambiente ishin tërësisht të amortizuara dhe përdoreshin për depozitimin e materialeve që dilnin jashtë përdorimit, ndërkohë që kaosi që krijohej në pavione ku merrej shërbimi, ishte tepër i madh, për shkak të fluksit të vizitave ambulatore.
Sot, ambientet e rehabilituara ofrojnë mundësinë e kryerjes së konsultave për katër specialitete të Pediatrisë: Nefrologji; Kirurgji infantile; Gastrologji dhe Endokrinologji.
Një tjetër risi e këtij investimi, është ngritja e spitalit ditor Gaucher, që do të shërbejë për 24 pacientë që vuajnë nga kjo sëmundje e rrallë, e cila prek mëlçinë, shpretkën dhe palcën e kockës. Atyre ju duhet të marrin terapinë 2 herë në muaj dhe deri dje -edhe pse një pjesë janë pacientë të rritur- ju duhej të vendoseshin në dhoma në pavione me fëmijë për të marrë terapinë e nevojshme. Tanimë ky spital ditor i ngritur enkas për ta, do ta lehtësojë ndjeshëm marrjen e terapisë në kushte optimale.

