Masakra në Vlorë, makina autorëve u vodh në Durrës para 10 ditësh
Detaje të reja dalin nga atentati i mbrëmshëm në Vlorë, ku humbën jetën Drejtori i OSHEE, Roland Saliu dhe biznesmeni i njohur, Mirvjen Hyseni.
Automjeti tip BMW 320 me targa AA 348 PC, ngjyrë gri dhe me xhama të zinj, i përdorur nga tre autorët e krimit, rezulton i vjedhur në Durrës para 10 ditësh.
Makina është në pronësi të shtetasit I.C, i cili ka bërë denoncim në polici për vjedhjen e automjetit, ndërsa pritet të merret në pyetje nga policia.
Tre autorët e krimit e kanë përdorur makinën para dhe pas atentatit me të cilin kanë mundur të largohen nga vendi i ngjarjes.

(Automjeti i autorëve i braktisur pranë fshatit Panaja)
Autorët e atentatit e dogjën makinën pranë nënkalimit të Panajasë, menjëherë pas krimit të përgjakshëm që u regjistrua në një zonë mjaft të populluar të Vlorës, pranë Sheshit të “Flamurit”.
Pas ekzekutimit të Saliut dhe Hysenit, autorët, të cilët dyshohen të kenë qenë tre persona, janë larguar menjëherë me automjetin tip BMW, ndërsa e kanë braktisur atë pranë fshatit Panaja.
Edhe pse i kanë vënë flakën, automjeti është djegur vetëm nga brenda. Grupi hetimor vijon punën për gjetjen e provave që mund të çojnë në identifkimin e autorëve të ngjarjes.
/shqiptarja.com/

