Matura akuza për Matematikën, ja çfarë pritet të ndodh
Nga ora 10:00 deri në 11:30 maturantët zhvilluan provimin e Matematikës, që kishte 25 pyetje nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative, që vlerësohen nga 1 pikë secila dhe 12 pyetje janë me zhvillim, që vlerësohen me 37 pikë.
Testi do të vlerësohet me 50 pikë. Pas provimit, maturantë të gjimnazit “Ismail Qemali” në kryeqytet u shprehën se provimi ishte mesatar ndërsa thanë se procesi ishte shumë normal Megjithatë i mbetet rezultateve ta përcaktojnë nivelin e njohurive pasi deklaratat e maturantëve bëhen në kuadrin e përgatitjes së tyre duke reflektuar nivelin e studimeve gjatë viteve të gjimnazit.
Por rreth 2 orë pasi maturantët kishin hyrë në provim njëra nga tezat e provimit, varianti A është publikuar në një rrjet social çka hedh dyshime se ndonjë maturant mund të ketë përdorur celular ose administratorët që kanë qëndruar nëpër salla.
Pasi dolën nga provimi në orën 12.00 maturantët pohuan se varianti i publikuar u kish rënë në provim. Maturantët thonë se në momentin që ka nisur provimi ishte e pamundur të komunikoje pasi në sallë dhe në korridore qëndrojnë administratorët e provimeve. Duhet theksuar se pas provimit të parë me detyrim, ai i gjuhës së huaj, 12 maturantë u kapën me celular gjatë provimit, 4 prej tyre në kryeqytet, duke e humbur përfundimisht mundësinë për të ndjekur studimet e larta.
Çdo provim monitorohet nga përfaqësues të ministrisë, ndërsa godina ku korrigjohen testet ruhet 24 orë nga Policia e Shtetit. Këtë vit, në provimet e Maturës janë përfshirë plot 26 lëndë me zgjedhje për nxënësit e shkollave profesionale, të cilët nuk do ta zhvillojnë më provimin shkollor të teorisë profesionale.
Çdo maturant ka të drejtë të zgjedhë dy lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje, pavarësisht nëse i ka zhvilluar ose jo nga shkolla në programin mësimor. Ndërsa maturantët e profesionaleve, duhet të zgjedhin një lëndë nga grupi i lëndëve me zgjedhje për shkollat profesionale sipas profilit që kanë ndjekur dhe një lëndë tjetër nga grupi i lëndëve për shkollat e mesme.
Po kështu, edhe maturantët e shkollave artistike, koreografike, për provimet me zgjedhje duhet të përzgjedhin një lëndë nga grupi i shkollave artistike dhe një nga grupi i shkollave të mesme.
“Maturanti zgjedh lëndët për provimet me zgjedhje sipas këtyre kritereve: shuma e krediteve të këtyre lëndëve të jetë jo më e vogël se 8 dhe numri i lëndëve të jetë 2./Shekulli/

