Nxënësit e Maturës: Testi i vështirë; Opozita: Teza doli
Mbi 36 mijë maturantë në Shqipëri ju nënshtruan provimit të gjuhës shqipe dhe letërsisë, pas provimit të gjuhës së huaj. Provimi nisi në orën 10:00 dhe zgjati 2 orë e gjysmë. “Mendoj se 6 ditë kanë qenë të mjaftueshme, pasi përgatitja ka filluar që në fillim të vitit shkollor. Këto ditë po bëhen përsëritjet e fundit, ku pyesim mësuesit për gjërat që i kemi ende të paqarta. Këto 6 ditë po bëjmë thjesht përsëritje se përgatitje kemi bërë gjatë gjithë vitit”, janë shprehur maturantët. Ata janë njohur që në fillim të vitit me programin orientues me 15 vepra dhe 14 autorë.
Të lodhur, konfuzë por mes tyre dhe të sigurtë për mënyrën si shkoi provimi i dytë i maturës. Gjuha shqipe dhe letërsia nuk ka qenë aspak e lehtë tregojnë maturantët, pasi kanë dalë nga testimi. Këtë vit kishin 10 pyetje alternative më tepër por më të vështira u janë dukur ato me zhvillim. Pas fillimit të testimit ish-deputeti Luciano Boçi publikoi disa nga pyetjet e provimit, ndërsa e ka cilësuar krim shtetëror daljen e tezës. Maturantët në shkollat e Tiranës pranojnë se teza e dalë ishte e njëjtë me pyetjet që zhvilluan por tregojnë dhe se ku i mbajtën telefonat gjatë provimit.
”Na i morën të gjitha pajisjet elektronike”, thonë nxënësit. Ky nuk është viti i parë që teza e provimeve të maturës del gjatë kohës kur nxënësit janë në provim. Edhe një javë më parë, Ministria e Arsimit, pas rastit me gjuhën e huaj, deklaroi se opozita po e politizon procesin duke dëmtuar maturën. Për herë të parë këtë vit testet e maturantëve do të korrigjohen në mënyrë elektronike.

