Me 300 euro fuste mjete të vjedhura në Shqipëri, efektivi i policisë pezullohet nga puna
Emisioni “Stop” mbrëmë zbuloi një aferë korruptive ku ishte përfshirë punonjësi i Policisë se Shtetit Vladimir Muja.
Pas këtyre dyshimeve, Drejtori i Policise Kufitare Kukës ka pezulluar menjëherë efektivin nga detyra.
Me urdhër te Drejtorit te Policisë së Shtetit ka filluar hetimi disiplinor dhe çështja i ka kaluar për ndjekje Drejtorisë së Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit.
Gjithashtu ka nisur një hetim nga SHÇBA, për të nxjerrë përgjegjësitë penale. Hetimet janë shtrirë edhe për identifikimin e punonjësit tjetër, kontrollor, i cili dyshohet të jetë i implikuar në aferë.
Kamera e fshehtë e emisionit “STOP” tregon me zë e figurë, sesi mund të bësh kontrabandë në doganën e Morinit. Një qytetar takon punonjësin e doganës, Lad Muja dhe ky i fundit i tregon fill e për pe, sesi mund të sjellë makina të vjedhura nga Serbia apo vende të tjera dhe për 300 euro t’i kalojë në Shqipëri, pa i hyrë gjemb në këmbë.
Ladi tregon, sesi u merr para edhe shoferëve të autobusëve nga Kosova, të cilët “zgjedhin qesen”, për të mos u vonuar në doganë. Në një moment sinqeriteti, Ladi flet edhe për backroundin e tij prej “të burgosuri profesionist” në shumë vende të Europës dhe në Shqipëri.

