Mërtiri: Shtatori do të rrisë presionin politik dhe masivitetin në shesh
Analisti Ergys Mërtiri ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te protesta e 87 ditëve, opozita dhe e ardhmja e saj, si edhe te përballja politike mes Edi Ramës dhe Sali Berishës.
Për të kryeministri Edi Rama qëndron në pushtet edhe për shkak të mungesës së një alternative të besueshme për qytetarët. “Për sa kohë njerëzit zëvendësuesin e duan edhe më pak se atë që është në pushtet, ai që është në pushtet qëndron”, u shpreh ai.
Analisti tha se protesta kërkon një rotacion më të gjerë politik dhe se Berisha duhet ta lexojë këtë mesazh. “E vetmja mënyrë se si ai mund t’i ndihmojë kësaj proteste është të dorëhiqet”, deklaroi Mërtiri, duke shtuar se largimi i tij do të “hiqte Ramës arsyetimin kryesor për të qëndruar në pushtet”.
Duke folur për protestën, Mërtiri e vlerësoi qëndrueshmërinë e qytetarëve dhe paralajmëroi përshkallëzim të situatës në shtator, me rikthimin e studentëve dhe nisjen e punimeve të Kuvendit.
“Protestës nuk i mungon asgjë, i mungon reagimi nga një realitet politik i kapur”, tha ai, duke paralajmëruar se prania e mijëra qytetarëve pranë Kuvendit mund të sjellë “mosbindje civile dhe një krizë më të gjerë institucionale”.
KOHA JONË SONDAZH

